Basha: 1.5 milionë shqiptarë me pasaporta biometrike
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi gjatë ditës së djeshme një takim me drejtuesit e kompanisë koncensionare “Aleat”. Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm bëri të ditur se deri më tani, 2.6 milionë qytetarë shqiptarë kanë aplikuar dhe janë pajisur me letërnjoftime elektronike, ndërsa 1. 5 milionë qytetarë janë pajisur me pasaporta biometrike. “Afro 2.6 milionë qytetarë shqiptarë kanë aplikuar dhe janë pajisur me letërnjoftime elektronike, pra pothuajse dyfishi i qytetarëve që ishin pajisur me letërnjoftime elektronike para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe kemi arritur në shifrën mjaft të kënaqshme, prej 1. 5 milionë qytetarësh me pasaporta biometrike, pra afërsisht ose pak më pak se 1 në 2 qytetarë shqiptarë me pasaporta biometrike” - u shpreh Basha. Më tej, ai u tha se është rënë dakord me kompaninë “Aleat”, që procesi të nisë në katër qendra konsullore të Shqipërisë jashtë vendit, në Romë, në Milano, në Athinë dhe në Selanik. Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm përshëndeti faktin se tashmë Shqipëria do të jetë vendi i parë në Europë, ku azilkërkuesit e huaj do të pajisen me pasaporta biometrike. “Përshëndes faktin që bëhemi i vetmi vend në Europë, i pari vend se më pas edhe të tjerët do të na ndjekin, ku azilkërkuesit e huaj do të pajisen me pasaporta biometrike identifikimi, në qoftë se munden edhe me pasaportën e udhëtimit, duke arritur një standard të deklaruar, por akoma në dijeninë tonë të paarritur nga asnjë vend anëtar i BE. Kjo është një dëshmi e seriozitetit dhe profesionalitetit me të cilin jemi angazhuar në këtë ndërmarrje të përbashkët, qeveria shqiptare dhe koncesionari i përzgjedhur”, - deklaroi Lulzim Basha. Në fund të fjalës së tij, ministri i Brendshëm falënderoi të gjithë përfaqësuesit e kompanisë “Aleat”, për punën e bërë deri më tani.