E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora dhe acari mbërthejnë vendin

 

Dëbora, acari dhe temperaturat nën zero kanë mbërthyer prej dy ditësh vendin tonë. Qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë, ndërsa disa komuna të thella ndodhen të izoluara si në jug, ashtu edhe në veri të vendit. Lëvizjet më të mëdha të udhëtarëve, kryesisht në rrugët nacionale të Qarkut të Korçës, Elbasanit apo Gjirokastrës, kanë hasur vështirësi për shkak të zonave të bllokuara.
KORÇE
Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë sjellë vështirësi për 370 mijë banorë të Korçës, Kolonjës, Pogradecit dhe Devollit. Qarkullimi në akset kryesore bëhet vetëm me zinxhirë. Shtresa e dëborës arriti deri në 30 centimetra. Një pjesë e rrugëve mësohet se janë të ngrira, duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve. Gjatë 24 orëve, në Korçë u shënuan 2 aksidente me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Sipas policisë, po në këtë hark kohor janë regjistruar edhe 30 përplasje të ndryshme, por pa pasoja të rënda. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre aksidenteve kanë ndodhur në aksin Korçë-Qafë Plloçë, për shkak se firmat ndërtuese nuk kanë marrë masa për hedhjen e skorieve në këto ditë të acarta. Dje temperatura shënonte minus 6 gradë celsius. Mësohet se Drejtoria e Rrugëve nacionale ka vijuar kriposjen e gjithë rrugëve. Shefi i Qarkullimit Rrugor, Adriatik Huti, u shpreh se mbetet problem aksi Korçë–Qafë Plloçë. “Po i faturohet përgjegjësia si firmave ndërtuese, ashtu edhe ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve nacionale. Kjo lojë pingpongu mes tyre ka bërë që aty të mos jetë marrë asnjë masë dhe gjendja sa vjen e bëhet më e rrezikshme për jetën e udhëtarëve. Firmat ndërtuese të superstradës po fshihen për të mos u angazhuar në masat parandaluese të aksidenteve”, u shpreh Huti. Sipas drejtuesit të zyrës së emergjencave civile në Prefekturë, Dhori Çekrezi, situata më e rënduar është ajo e aksit Korçë–Qafë Plloçë-Qafë Thanë.  
ELBASAN
Temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë përfshirë edhe Qarkun e Elbasanit. Problemet më të shumta janë shënuar në akset nacionale, ku kalimi i mjeteve është i mundur vetëm me zinxhirë. Sipas policisë, situata më problematike paraqitet në akset Elbasan–Tiranë, kryesisht në zonën e Krrabës, si dhe në aksin që lidh Elbasanin me Pogradecin, kryesisht në zonat e Librazhdit dhe  Qafë-Thanës. Sipas të dhënave nga policia, por dhe sektori i emergjencave në prefekturën e Elbasanit, ndërmarrja e mirëmbajtjeve të rrugëve është duke punuar për pastrimin dhe hedhjeve e skorieve dhe kripës. Megjithë situatën e krijuar, nuk janë shënuar aksidente të rënda gjatë 24 orëve të fundit.
GJIROKASTER
Rreth 20 fshatra në Qarkun e Gjirokastrës janë të izoluara nga dëbora që nisi intensivisht që në orët e para të ditës së djeshme. “Pavarësisht përpjekjeve, ndërmarrja e Rrugëve Rurale  mundi të zhbllokojnë qarkullimin e automjeteve, pasi trashësia e dëborës arriti mbi 40 centimetra”, pohuan burime nga Prefektura e Gjirokastrës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Përmet, kryesisht në komunën e Frashërit. Në segmentin Gjirokastër -Sarandë në zonën e Qafës së Muzinës, kalimi për mjetet bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërsa në qytetin e Gjirokastrës ku trashësia e dëborës shkoi deri në 10 cm, ka pasur probleme me qarkullimin e automjeteve, sidomos në zonën historike për shkak të rrugëve të kalldrëmta. Në disa rrugë rurale në Përmet qarkullimi është i vështirë për shkak të dëborës, ndërkaq po punohet për të zhbllokuar rrugën që lidh Libohovën me Gjirokastrën.

Kukës, bllokohen disa komuna
Dëbora dhe temperaturat e ulëta sjellin vështirësi në qarkullim në Qarkun e Kukësit. Temperaturat shënuan deri në minus 3 gradë celsius, duke sjellë ngrica tepër të rrezikshme, sidomos në Qafën e Malit, ku trashësia e dëborës arriti deri në 10 centimetra. Burime nga policia bënë të ditur se aksi nacional që lidh Kukësin me Kosovën nuk kalohet pa zinxhirë. Ndërsa rruga nacionale që lidhet me Dibrën është i pakalueshëm. Vështirësi ka në komunat Arren, Shishtavec, Bushtricë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›