E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tapitë, 500 ankesa bllokojnë Hipotekën

 

BLEDAR HOTI

Dhënia e hipotekës nga ZRPP-të për Tiranën dhe Kavajën është bllokuar nga Komisioni Qeveritar i Tokës që drejtohet nga prefekti. Nisja e zbatimit të ligjit “Për verifikimin e titujve të pronësisë” ka sjellë bllokimin e dhënies së titujve të pronësisë nga ana e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Prefekti i Tiranës, njëkohësisht dhe Kryetari i Komisionit të Tokës për kryeqytetin dhe Kavajën, Ruzhdi Keçi, shpjegon se në cilat komuna të Tiranës janë kryer abuzime më të mëdha. Prefekti premton se situata e dhënies së titujve të pronësisë mund të zhbllokohet vetëm në fund të muajit janar. Deri më tani, sipas tij, janë regjistruar 500 kërkesa me pretendimet për abuzime në zbatim të ligjit 7501, “Për tokën bujqësore” dhe pritet që të jepet vendimi përfundimtar mbi pretendimet e ngritura.
Zoti prefekt si drejtues i Komisionit të Tokës, si po veproni me verifikimin e titujve të pronësisë në Tiranë?
Sapo doli ligji i qeverisë për këtë problem, mblodha komisionin e verifikimit të titujve të pronësisë për qarkun e Tiranës. Më duhet të shpreh një shqetësim se për dy muaj që është ngritur komisioni nuk është paguar. Dje sapo u njoftova që janë kaluar fondet shpresoj që të paguhen komisionerët. Por dua të theksoj se anëtarët e komisionit kanë punuar pa u ndikuar nga kjo. Komisioni çdo ditë pranon, merr edhe evidenton të gjitha ankesat e kërkesat e subjekteve, qofshin këto individë, pra fshatarë që kanë probleme me tokën, qofshin dhe subjekte shtetërore, sikurse është Zyra e Regjistrimit të Pasurisë, që në mënyrë periodike na drejtohet me shkresa për verifikim ligjshmërie, për një numër të caktuar njerëzish që kanë aplikuar për regjistrim prone. Ky komision, ndoshta, është dita e parë që në një farë mënyrë kemi zhbllokuar situatën dhe kemi bërë një shkresë përcjellëse pranë ZRPP-së, për dy-tre rastet e para që ka përfunduar verifikimi i ligjshmërisë ligjore nga ana e këtij komisioni.
Çfarë keni konstatuar deri tani?
Ne kemi konstatuar se problematika për ankimet e njerëzve ka qenë mjaft e gjerë. Një pjesë e mirë lidhet me faktin se shumë nga ato nuk kanë dokumente pronësie. Një pjesë kanë vështirësi nga më të ndryshme dhe nuk e kanë regjistruar pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë dhe sikurse dihet tashmë kjo është e bllokuar dhe pa verifikimin nga ky komision nuk mund të regjistrohet prona pranë ZRPP-së. Këto pengesa mund t’i kishim prej muajsh ose vitesh dhe kanë mbetur në këtë situatë. Një pjesë ka të bëjë me pasaktësinë në sipërfaqen e pronave, një pjesë tjetër ka edhe mbivendosje pronash. Por ka edhe ankesa për pushtime pronash, që dikush ka pronën, pra tokën bujqësore me tapi me letër dhe dikush tjetër e posedon atë tokë. Këto janë natyra e ankesave të njerëzve që deri më sot janë regjistruar nga ana e komisionit, 500 në rang qarku.
Të gjitha këto ankesa janë për abuzime me pronën?
Janë të ndryshme për të gjitha problemet që unë përmenda më sipër. Këtu nuk po përfshij nënprefekturën e Kavajës, nga e cila për vështirësitë që unë përmenda më përpara, për mungesë fondesh s’ka nisur puna e verifikimit. Këtu duhet të përjashtoj komunën e Luzit të vogël të Kavajës, e cila i ka sjellë të gjitha tapitë në mënyrë totale, të cilat sipas drejtuesve të saj janë problematike në total.
Si do të veprohet me ato komunat përreth qytetit të Tiranës, ku dihet se janë problematike, madje ka pasur edhe arrestime të kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore?
Kjo është një situatë mjaft e rënduar. Veçanërisht komuna e Kasharit. Është një nga komunat më problematike, ku ka shumë mbivendosje për shkak të këtyre abuzimeve. Nuk mund të them për momentin se si do të zgjidhet. Duhet të theksoj faktin se jemi ende në pritje që të plotësohet krejtësisht kuadri ligjor. Për hir të vërtetës kemi nevojë për akte nënligjore, për të mundësuar më pas funksionimin e komisionit. Neve tashmë kemi zhbllokuar situatën me ato raste që ne i kemi klasifikuar të lehta. Pra ato raste që brenda këtij kuadri ligjor mund të zgjidhim, për raste të tjera më të rënda kemi nevojë për akte të tjera nga komisioni qeveritar i Tokës, apo vendime qeveri apo udhëzime nga këto komisione.
Keni marrë ndonjë vendim gjatë kësaj periudhe?
Vendime të mirëfillta me numër nuk kemi dhënë. Sot kemi bërë një shkresë që i drejtohemi Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë, një akt verifikim, por jo vendim. Pra mund të operojmë më vonë me vendimmarrje. Në fund të muajit janar të vitit 2009 mund të kemi vendime nga ana e komisionit. Por zhbllokimin e situatës ne kemi filluar me këto shkresa që i dërgojmë ZRPP-së si akt verifikimi.
Procesi i verifikimit ka sjellë bllokimin e marrjes së titujve të pronësisë në ZRPP nga qytetarët, për këtë fajësohet Prefektura?
Jo nuk e kemi bllokuar ne, atë e ka vendosur ligji. Kur ka hyrë në fuqi ligji është e sanksionuar se Hipoteka nuk mund të funksionojë, s’mund të bëjë regjistrime pronësie pa dhënë vendimin ne si komision. Për ta zhbllokuar situatën ne kemi filluar me disa verifikime që ne kemi bërë. Duke iu drejtuar zyrës së verifikimit.
A mund të përfundohet ky proces brenda tre viteve?
Është një punë shumë voluminoze. Brenda tre vjetësh ne jemi në përputhje me ligjin. Mendoj se më një punë këmbëngulëse ta mbyllim brenda tre vjetëve. Është një sfidë, përballimi i së cilës është mjaft i vështirë. Kërkesat që na vijnë realisht janë nga qytetarët, edhe pse na drejtohen edhe nga institucionet e ndryshme si ZRPP dhe komuna. Ne jemi të vendosur që të zbatojmë ligjin. Por një pjesë e tokës bujqësore, veçanërisht ajo që ka qenë nën administrimin e ish-fermave bujqësore para vitit 1991, si dhe ato toka që janë në zona bregdetare me përparësi turizmin do të shihen të gjitha aktet e pronësisë një e nga një. Për rastet e tjera, ne do të veprojmë sipas ankesave që kanë qytetarët, pra kur kanë kontestimesh pronarësh.

Komisioni Qeveritar i Tokës, asnjë mbledhje

Komisioni Qeveritar i Tokës drejtohet nga ana e zv.kryeministrit, Genc Pollo. Ky komision nuk ka zhvilluar ende mbledhjen e parë të tij për të marrë vendime në lidhje me titujt e pronësisë së ofruara. Në shkallë republike, komisionet qeveritare janë ngritur mbi bazën e prefekturave. Menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit 9948, ka rënë veprimi i mëtejshëm i ligji 7501 “Për tokën bujqësore”, pra s’bëhet fjalë për ndarje të reja të tokës bujqësore. Bie dhe ligji për ndarjen e tokës të ndërmarrjes bujqësore, nuk do të ketë asnjë veprim. Pra, nuk do të ketë abrogim, shfuqizim, por pushojnë së vepruari si ligje. Por efektet e zbatimit të tyre nga 1991 deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit mbeten efekte, për t’u vlerësuar dhe do të preken vetëm në ato raste, kur është operuar në thyerje të ligjeve për ndarjen e tokës bujqësore të ish-kooperative. Natyrisht ndërpritet edhe funksionimi i të gjitha komisioneve, që kanë operuar që nga ’91, në bazë fshati, në pleqësi të fshatrave, komisionet e tokave në komuna, bashki dhe në qarqe. Aktiviteti i këtyre komisioneve është ndërprerë dhe pastaj komisionet vendore në prefekturë do të fillojë procesin e kontrollit.

Alibeaj kundër Bodes për spotet në televizion

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kundërshtuar draftin e propozuar nga Ridvan Bode lidhur me publikimin e spoteve në televizion. Sipas letrës së Alibeajt, e cila mban datën 24.11.2008 thuhet se “lidhur me paragrafin e tretë të pikës 5, ku përcaktohet publikimi i spoteve dhe i emisioneve pa pagesë në televizionin shtetëror, duhet të mbahen parasysh përcaktimet e bëra në ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998 ‘Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar. Sipas këtij ligji, transmetimi për spote të ndryshme bëhet me pagesë apo çdo formë tjetër shpërblimi. Gjithashtu janë të përcaktuara subjektet të cilave iu ofrohet transmetimi falas, siç janë partitë politike, subjektet fetare, pa lënë asnjë mundësi tjetër për subjekte të paparashikuara në ligj”. Ndërkohë në draftin përfundimtar thuhet se “Periudha e publikimit zgjat 21 ditë nga data e botimit të parë, në çdo Buletin të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Ky njoftim botohet edhe në dy gazeta me qarkullim të madh kombëtar. Publikimi i spoteve dhe i emisioneve të procesit të shitjes bëhet në mediat audiovizive”. Sipas vendimit, procedurat e publikimit të ankandit për shitjen e pasurive të shoqërive huamarrëse dhe të personave të deklaruar të lidhur me ta fillojnë, pasi administratori të ketë plotësuar dosjen e pasurisë, që do të shitet, të pranuar nga DASHPP-ja.

Fajdet, procedurat e reja për shitjen e pasurive

ADI SHKEMBI

Qeveria ndryshon procedurat e shitjes së pasurive të shoqërive huamarrëse. Në mbledhjen e pak ditëve më parë, me propozim të Ministrit të Financave Ridvan Bode, është miratuar vendimi për caktimin e rregullave për shitjen e pasurive të personave juridikë, jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Sipas relacionit, ky vendim vjen si rrjedhojë e ndryshimit të ligjit të vitit 1998.
Vendimi
Për shitjen e pasurive të shoqërive huamarrëse, autorizohet ngritja e një komisioni ankandi, i cili ka përfaqësues nga Ministria e Financave, administratorin e shoqërisë huamarrëse dhe një jurist të shoqërisë huamarrëse. Në pikën 10 të vendimit përcaktohet se fitues i ankandit shpallet pjesëmarrësi që ofron çmimin më të lartë për pasurinë e nxjerrë në shitje. Ndërkohë që sipas kësaj pike, pjesëmarrësve të tjerë u kthehet 20 për qind e shumës së paguar paraprakisht për konkurrimin në ankand. “Nëse aseti nuk shitet pas zhvillimit, tri herë radhazi të ankandit, atëherë DASHPP-ja, në bashkëpunim me administratorin e shoqërisë huamarrëse, marrin vendim, për të bërë rivlerësimin e asetit nga grupi i ekspertëve vlerësues”, thuhet më tej në pikën 11 të vendimit. Gjithashtu në draftin e miratuar tashmë është parashikuar edhe rasti kur në ankand ka pjesëmarrës që kanë paraqitur të njëjtën shumë. Kështu kreditori ka të drejtë të futet si blerës i parë për pasuritë e shoqërisë huamarrëse, ku ai ka depozituar vlerat e tij financiare, kur ndërmjet një a më shumë kërkuesve, pjesëmarrës në ankand, janë ofruar çmime të barabarta blerjeje. “Në këtë rast, kreditori paraqet kërkesën për blerje të pasurisë, sipas të gjitha rregullave dhe procedurave të caktuara në këtë vendim. Kur komisioni i ankandit vëren se ofertat e paraqitura për çmimin e blerjes së pasurive janë të njëjta me ato të kreditorit apo të një grupi të kreditorëve, shpall fitues kreditorin, që ka paraqitur kërkesën për blerjen e pasurisë”, thuhet më tej në pikën 12 të vendimit. Në përfundim të ankandit, fituesi duhet të paguajë çmimin e plotë të blerjes në llogarinë e shoqërisë huamarrëse. Nëse fituesi brenda 30 ditëve, nga data e shpalljes fitues, nuk paguan vlerën e plotë të pasurisë që shitet, ai humbet të drejtën e blerjes. Gjithashtu vlera prej 20 për qind e paguar paraprakisht nuk kthehet. Vendimi përcakton se objekti apo pasuria rishpallet për shitje. “Në rastet kur shoqëritë huamarrëse në administrim kanë në pronësi aksione ose forma të tjera interesi me shoqëritë apo individë të tjerë, administratori i kërkon ortakut dokumentacionin e plotë të shoqërisë së përbashkët, deklarimin e vlerës së kapitalit të investuar, vlerat e fituara nga ortakëria, shpenzimet dhe interesat e paguara nga koha e krijimit të shoqërisë, të cilat i paraqiten komisionit të ankandit”, thuhet më tej në pikën 14. Në vijim të kësaj pike, komisioni i ankandit ia ofron fillimisht pjesën në pronësi të shoqërisë huamarrëse, për blerje të drejtpërdrejtë, ortakut. Në rast se oferta e paraqitur nga ortaku nuk plotëson kërkesat e caktuara, atëherë pjesa në pronësi të shoqërisë në administrim shitet në ankand. Në vendim përcaktohet gjithashtu që procesi i shitjes së pasurive të shoqërive huamarrëse kontrollohet nga eksperti kontabël si dhe mbikëqyret në të gjitha etapat nga grupi i mbikëqyrjes i shoqërive huamarrëse.

Procedura e ankandit

10. Fitues i ankandit shpallet pjesëmarrësi që ofron çmimin më të lartë, me përjashtim të rastit të përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi.
Pjesëmarrësve të tjerë u kthehet 20 për qind e shumës së paguar paraprakisht për konkurrimin në ankand.

11. Nëse aseti nuk shitet pas zhvillimit, tri herë radhazi të ankandit, atëherë DASHPP-ja, në bashkëpunim me administratorin e shoqërisë huamarrëse, marrin vendim për të bërë rivlerësimin e asetit nga grupi i ekspertëve vlerësues.

12. Kreditori ka të drejtë të futet si blerës i parë për pasuritë e shoqërisë huamarrëse, ku ai ka depozituar vlerat e tij financiare, kur ndërmjet një a më shumë kërkuesve, pjesëmarrës në ankand, janë ofruar çmime të barabarta blerjeje. Në këtë rast, kreditori paraqet kërkesën për blerje të pasurisë, sipas të gjitha rregullave dhe procedurave të caktuara në këtë vendim. Kur komisioni i ankandit vëren se ofertat e paraqitura për çmimin e blerjes së pasurive janë të njëjta me ato të kreditorit apo të një grupi të kreditorëve, shpall fitues kreditorin, që ka paraqitur kërkesën për blerjen e pasurisë.

13. Personi, fizik a juridik, që shpallet fitues i ankandit, duhet të paguajë çmimin e plotë të blerjes, nëpërmjet bankës, në llogarinë e shoqërisë huamarrëse përkatëse. Në rast se fituesi i ankandit, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes fitues, nuk paguan vlerën e plotë të pasurisë, që shitet, ai e humbet të drejtën e blerjes. Vlera 20 për qind, e paguar paraprakisht, nuk kthehet. Objekti apo pasuria rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e publikimit nga e para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›