“Në vitin 2009, LSI-ja, më shumë vota nga PS-ja”
PS dhe LSI gjithnjë e më larg bashkëpunimit
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim do të rivalizojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 si ndaj Partisë Demokratike ashtu edhe ndaj asaj Socialiste. Kjo është rikonfirmuar dje nga kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, gjatë takimeve që zhvilloi me anëtarë të simpatizantë të LSI-së në qytetet e Elbasanit dhe Cërrikut.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse lideri i LSI shprehu besimin se alternative e LSI do të fitojë jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë, pasi kauzat e LSI dhe politika e drejtë që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë kanë gjetur mbështetje gjithnjë dhe më të madhe tek qytetarët. Meta u shpreh se LSI ka lindur dhe vazhdon të jetë ajo forcë që sfidon të keqen, mashtrimin, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Kreu i LSI-së theksoi se në këtë kuadër se qytetarët shqiptarë duhet të votojnë LSI-në pas gjashtë muajsh, pasi vetëm LSI dhe koalicioni i saj, kanë gjithnjë në plan të parë interesat e qytetarëve.