Alarmi, moti i keq mbyll për tre ditë shkollat
Moti i keq mbyll shkollat. Çdo institucion arsimor do të pezullojë veprimtarinë e tij për tre ditët e ardhshme. Nëse situata do të përkeqësohet, pezullimi i mësimit pritet të zgjasë. Vendimi u mor dje nga Ministria e Arsimit, pas informacioneve alarmante të marrë në zonat e mbuluara nga bora, kryesisht ato malore në veri, verilindje e në qendër të vendit. Gjatë dy ditëve të fundit, Drejtoritë Rajonale Arsimore të qarqeve në Kukës, Dibër apo rretheve të tjera u kanë komunikuar atyre qendrore në Ministrinë e Arsimit për shqetësimin e tyre me nisjen e procesit mësimor ditët e sotme. Trashësia e dëborës, e krijuar jo vetëm në rrugë rurale, por dhe në ato nacionale e bën të pamundur lëvizjen normale të makinave, jo më të fëmijëve. Për këtë arsye, një shtab i ngritur në MASH, në drejtimin e ministrit Fatos Beja vendosi për pezullimin e mësimit. Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në Qarkun e Dibrës, (ku përfshihen rrethet Dibër, Bulqizë e Mat) dhe në rrethet Mirditë e Librazhd do të pezullohet mësimi për 3 ditë në të gjitha shkollat. Në Qarkun e Kukësit mësimi do të pezullohet vetëm në shkollat pranë komunave, ndërsa do të vazhdojë mësimi në shkollat pranë bashkive të Kukësit, Bajram Currit dhe Hasit. Bëhet e ditur se në rrethin e Pukës mësimi do të zhvillohet vetëm në qytetet Pukë e Fushë-Arrëz, por në të gjitha komunat e këtij rrethi do të ndërpritet mësimi, po për 3 ditë. Nëse situata do të përkeqësohet, parashikohet marrja e masave të tjera. Sipas Ministrisë së Arsimit, koha e humbur e mësimit do të kompensohet në ditët e shtuna.
Ku do pezullohet mësimi
Në të gjithë rrethet
Dibër
Bulqizë
Mat
Mirditë
Librazhd
Vetëm në komuna
Kukës
Pukë
Fushë-Arrëz
Berisha: Xhenio të mbikëqyrë Fushë Arrëzin
Kryeministri Berisha kërkon që forcat e xhenios të marrin nën mbikëqyrje aksin Shumri- Fushë Arrëz. Zëdhënësja Juela Meçani tha dje në një konferencë për shtyp se "Kryeministri Berisha po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën e rënduar për shkak të motit të keq në zonat e veriut, verilindjes dhe juglindjes së vendit. Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes që Forcat e Xhenios të marrin nën mbikëqyrje segmentin rrugor Shumri-Fushë Arrëz dhe të bashkëpunojnë aty me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Mirëmbajtjes së Rrugëve". Sipas saj, "Kryeministri Berisha përgëzon të gjitha Forcat e Emergjencës Civile, njësitë e Xhenios, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autoritetet vendore, të cilat gjatë 24 orëve që kaluan kanë bërë të pamundurën për të garantuar kalueshmërinë në akset rrugore kryesore kombëtare, për të transportuar të sëmurët nga komunat e bllokuara nga dëbora, si dhe për të shpëtuar jetën e qytetarëve të mbetur në dëborë në orët e para pas mesnatës".
Dimri izolon Juglindjen, rrugët vetëm me zinxhirë
ELBASAN/KORÇE - Dimër i ashpër në qendër të vendit e në juglindje të tij. Qarku i Elbasanit dhe Korçës janë pushtuar dje nga stuhia me erë të fortë e reshje dëbore. Probleme janë shënuar në në akset Elbasan-Librazhd-Qafë-Thanë, të cilat mund të kaloheshin vetëm me zinxhirë. Në disa raste qarkullimi është bllokuar plotësisht, pasi reshjet e dëborës kanë qenë tepër të dendura. Situata më e rëndë ka qenë dje në fshatrat e rrethit të Librazhdit ku mësohet se trashësia e dëborës ka arritur mbi 1 metër dhe ka qenë e pamundur zhbllokimi i rrugëve që i lidhin me qytetin. Në orët e mbrëmjes, si pasojë e stuhisë u rrëzuan disa shtylla të tensionit të lartë në Hotolisht e Lunik, duke lënë pa energji mbi 8 mijë banorë. Në vështirësi shumë të mëdha janë banorët e fshatrave të thellë malorë në Korçë, një pjesë e të cilëve janë bllokuar nga trashësia e dëborës dhe mosqarkullimi i mjeteve. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencës në Prefekturën e Korçës, Dhori Çekrezi puna për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora filloi që në orën 02:00 të së dielës. Borëpastrueset punuan derisa dëbora u hoq nga akset rrugore Korçë-Pogradec, Korçë-Kolonjë, Korçë-Bilisht-Kapshticë etj.
Deti me dallgë vonon tragetet
DURRES - Moti i keq bëhet një pengesë serioze për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të punës. Katamarani me flamur maltez "San Gëan" i ngarkuar me dhjetëra pasagjerë në bord është rikthyer në portin e Durrësit disa orë pas nisjes. Ai nuk ka mundur dot të lundrojë në "mezzocannale". Në këtë kuadrat mjaft të rrezikshëm lundrimi të detit Adriatik, kapiteni ka urdhëruar kthimin e kursit të anijes, pasi kushtet e detit arritën deri në 8 ballë. Ky episod i përket datës 03 janar, të vitit 2009. Më pas lundrimi drejt Italisë ka vijuar me anije të rënda të transportit të pasagjerëve. Por përsëri janë hasur pengesa dhe vonesa disa orëshe në grafikun e lundrimeve. Tragetet e linjës Durrës-Bari kanë qenë në pritje të pasagjerëve, shumica dërrmuese e të cilëve nga Kosova dhe Maqedonia. Bllokimi i akseve rrugore në veri dhe lindje të Shqipërisë për shkak të borës, ka detyruar disa prej anijeve të qëndrojnë në Durrës në pritje të pasagjerëve, që kishin të prenotuara datat e nisjes. o.u
Ortekët, akulli e dëbora, bllokohen makinat në male
Reshjet e dëborës dhe rrëshqitja e ortekëve në akset e rrugëve nacionale shkaktojnë probleme serioze në qarkullimin e qytetarëve pas festave të fundvitit. Një furgon me 15 persona në bord, u bllokua për disa orë mbrëmjen e 3 janarit në zonën e Qafë-Malit në Pukë, për shkak të trashësisë së dëborës në rrugë dhe terrenit të paqëndrueshëm nga rrëshqitja. Disa forcave të policisë u është dashur të ecin në këmbë për disa orë për t'i ndihmuar pasagjerët, që shkonin në fshatrat Mzi dhe Miliska në Fierzës. Gjendja në rrugë ishte përkeqësuar në atë masë saqë edhe mjetet e policisë nuk arrinin të lëviznin. Reshjet e dëborës kanë sjellë edhe dy raste të tera bllokimi të mjeteve në veri të vendit për shkak të sasive të dëborës, që kanë ortek duke bllokuar rrugën. Në mjetet e bllokuara ka pasur njerëz të sëmurë, studentë që kthehen nga shtëpitë e familjeve të tyre, por edhe shtetas kosovarë. Në zonën që përfshin qarku i Kukësit, sipas të dhënave të mbrëmjes së djeshme, reshjet e dëborës vazhdojnë, temperaturat regjistronin deri në -8 gradë në Kukës, Has dhe Tropojë ndërsa moti i keq ka vënë në vështirësi mbi 100 mijë banorë. Në rrugën që kalon nga Qafë-Mali, që bën lidhjen e Kukësit Tropojës dhe Kosovës me pjesën tjetër të Shqipërisë, trashësia e dëborës i kalon 60 cm dhe rruga paraqet vështirësi. Në secilin nga rrethet, Tropojë, Has dhe Kukës, pjesa më e madhe e fshatrave të thella janë të izoluara, pasi rrugët janë të pa kalueshme. Gjendja paraqitet e rënduar edhe në Shkodër. Prefekti i qarkut Maxhi Cungu tha se gjendja është e rënduar për nënkontroll. Shqetësuese paraqitet gjendja në zonën e Vermoshit, Dukagjinit,si dhe në komunat Malore të Rrethit të Pukës. Pjesa më e madhe e rrugëve në Malësinë e Madhe janë bllokuar nga dëbora, që arrin trashësinë 60-100 cm. Kryetari i Komunës së Kelmendit Ndue Lelçaj, tha se janë të izoluar plotësisht 2200 banorë në tre fshatra të Vermoshit. Edhe në Peshkopi trashësia e dëborës dhe akulli ka vështirësuar lëvizjen në rrugë. Trashësia e dëborës në disa komuna të thella shkon deri në 80 centimetra. Probleme serioze janë krijuar në komunat Lurë, Reç, Kala e Dodës në rrethin e Dibrës, Ostren, Trebisht e Martanesh të rrethit Bulqizës dhe Xibër e Macukull të rrethit Matit, rrugët janë të bllokuara dhe ndërmarrjet lokale ende nuk kanë vepruar. Xhafer Seiti, Prefekt i Dibrës tha se "me gjithë angazhimin e subjekteve private që kanë fituar tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dy ditëve të fundit ka pasur probleme serioze në lëvizjen e mjeteve".
Segmentet problematike
Qarku KUKËS
Kalohen me zinxhirë
Fushë Arrëz-Qaf Shllak-Kukës-Morinë
E bllokuar
Kukës-Peshkopi
Qarku SHKODËR
Kalohen me zinxhirë
Qafë Mali-Fierzë
Fierzë-Bajram Curri
Të bllokuara
Aksi Pukë-Iballë-Qelzë
Aksi Pog-Shalë
Aksi Tamarë-Vermosh
Qarku DIBËR
Kalohet me zinxhirë
Peshkopi-Shupenzë-Bulqizë-Burrel
Qarku KORÇE
Kalohet me zinxhirë
Korçë-Ersekë
Korçë-Pogradec-Qafë Thanë
Reshjet pushtojnë Lezhën e Kurbinin
LEZHE - Reshjet e dëborës vështirësuan dje qarkullimin e mjeteve në Lezhë dhe Kurbin, ndërsa disa fshatra janë bllokuar. Burime nga qarkullimi rrugor bënë të ditur se ka pasur probleme në superstradën Lezhë - Tiranë. Kalimi i mjeteve është bërë vetëm me zinxhirë, ndërsa janë shënuar të paktën 15 aksidente të makinave që qarkullonin nga Lezha në drejtim të Shkodrës dhe Tiranës. Probleme në qarkullim ka pasur edhe në akset që lidhin Milotin me Rrëshenin dhe Shkopetin, ku lëvizja ka qenë e detyruar vetëm me zinxhirë. Vështirësi në lëvizje ka edhe në akset e zonave rurale si Kallmet, Dajç dhe Spiten. Ndërsa janë të bllokuara zonat e Kashnjetit, Pllanës, Malësia e Lezhës e Dragusha. Era e fortë dhe dëbora lanë pa energji të gjithë rrethin e Lezhës dhe thuajse gjysmën e rrethit të Kurbinit, duke u shoqëruar edhe me mungesën e ujit. Temperaturat shënuan nën zero gradë. Që prej ditës së shtunë, një defekt në sistemin e transmetimit nga Ulza drejt Lezhës, la pa energji gjithë zonën. Një tjetër defekt pati në transmetuesin e Vaut të Dejës drejt Lezhës. Specialistët që mbërritën për të rregulluar defektin hasën edhe me një defekt të dytë në afërsi të Rrilës. Drejtuesit e OSSH-së në Lezhë bënë të ditur se me gjithë masat e marra nga kjo drejtori, ishte i pamundur sigurimi i energjisë për Lezhën dhe Kurbinin. r.n
Skrapar, izolohen 8 komuna
SKRAPAR - Dëbora bllokon tetë komuna në Skrapar, ndërkohë që shumë fshatra të tjerë të saj, por edhe në Berat, hasën vështirësi në qarkullim. Trashësia e dëborës arriti 1 metër në zonën e Tomorricës në komunën e Gjerbësit. E njëjta panoramë paraqitet dhe në komunat e Leshnjes, Potomit, Qëndrës, Bogovë, Vëndresh etj., të cilat janë të izoluara. Shirat shembën edhe murin rrethues të një lokali që ndodhet në shkëmbin e Kalasë së Beratit, përballë Urës së Goricës. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe për më shumë se 1 orë aksi kryesor i qytetit të Beratit, pikërisht në Urën e Goricës, u bllokua. d.xh
PDS: Berisha të ndërhyjë
Partia Demokracia Sociale shpreh shqetësimin e saj për gjendjen e rënduar në të cilën ndodhen shumë banorë të zonave malore, si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dëborës. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari i kërkoi qeverisë të marrë masa konkrete urgjente në terren. "Ajo nuk duhet të mjaftohet me ngritjen e shtabeve të emergjencës dhe ndjekjen rutinë të situatës sipas skemave te vjetra demagogjike, por të angazhojë edhe ushtrinë dhe forcat e rendit për përballimin e kësaj situate emergjence". Në të njëjtën kohë, PDS shpreh shqetësimin për vështirësitë që po ndeshin emigrantët shqiptarë në pikat e kalimit me Greqinë.