Kakavijë, ndalohen shtatë klandestinë afganë
GJIROKASTER - Afganët mësyjnë në Gjirokastër nga Greqia me qëllimin final Kosovën. Mbrëmjen e së shtunës, 7 afganët u kapën në vendin e quajtur “Kthesa e Mullirit” përballë Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës, rreth 5 km në brendësi të territorit shqiptar. Informacioni për mbërritjen e afganëve nga Greqia ishte siguruar ditë më parë dhe policia ishte vënë në gatishmëri për pritjen e tyre nga kufiri i gjelbër. Pasi janë çuar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, shtetasit nga Afganistani janë intervistuar nga ana e inspektorëve të policisë. Ata treguan se kishin paguar nga 6 mijë dollarë amerikanë për të përshkuar itinerarin nga vendlindja e tyre e deri në kryeqytetin grek, Athinë. Pasi kishin mbërritur në Greqi, ata kanë qëndruar disa ditë pa punë dhe dje janë nisur me një automjet me targa greke në drejtim të Shqipërisë. Pë r të mos rënë në sy të policëve kufitarë shqiptarë, klandestinët kanë zgjedhur të hynin përmes kufirit të gjelbër në krahun e poshtëm të Kakavijës. Destinacioni final i afganëve ka qenë mbërritja e tyre në Kosovë, ku me anë të dhënies së dollarëve të tjerë, do të siguronin dokumentet e UNMIK për të qarkulluar lirshëm në shtetet e tjera. Sapo janë intervistuar të shtatë afganët, janë dërguar mëngjesin e të dielës në drejtim të Tiranës, ku më pas në bazë të procedurave të Zyrës Qendrore të Emigracionit do të ktheheshin në vendin e tyre. p.n