E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori i akuzuar për korrupsion, Apeli lë në fuqi masën e arrestit

TIRANE – Apeli i kryeqytetit shqyrtoi dy ditë më parë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për ish-prokurorin e Kavajës, Musa Mulkurti, i akuzuar për “korrupsion”, duke e lënë në fuqi këtë vendim. 

 Ndërkohë, pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës u detyrua të shtynte seancën gjyqësore në ngarkim të Mulkurtit për shkak të mungesës së këtij në proces. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, e cila ka marrë kompetencën për hetimin e kësaj çështjeje, prokurori u mor nën përgjegjësi penale në shkurt të këtij viti, pas shfaqjes në emisionin televiziv “Fiks Fare” të disa regjistrimeve të një bisede mes këtij dhe një banori të Kavajës, të quajtur Zagoll Muçi. Prokurori ka pohuar në bisedë se ka marrë një shumë prej 2.000 euro në këmbim të uljes së masës së dënimit të kërkuar për djalin e Zagoll Muçës, të quajtur Sel Muça. Gjithashtu, në këtë aferë ishte përfshirë dhe avokati P. Ndreca, i cili luante rolin e ndërmjetësit. Pas kësaj, Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për ish-prokurorin, ndërsa gjykata refuzoi të vendoste masën kapitale për ish-prokurorin, duke caktuar për të “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Pas hetimeve të zhvilluara, katër muaj pas transmetimit të regjistrimeve të kamerës së fshehtë televizive, Prokuroria e mbylli hetimin për Mulkurtin e Ndrecën dhe i dërgoi ata në gjykatë. Mulkurti akuzohet për “korrupsion pasiv të prokurorëve”, ndërsa Ndreca për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Tashmë, sipas Gjykatës së Tiranës, Mulkurti nuk gjendet në banesën e tij, madje as familja e tij, çka detyroi togat e zeza ta nisin fletëthirrjen për gjyq nëpërmjet Policisë Gjyqësore.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›