E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurori italian: Pianisti trafikant në Shqipërinëe tranzicionit pas viteve ‘90

Emri i prokurorit italian, Giuseppe Scelsi (Xhuzepe Shelsi) është i njohur së fundmi për hetimin e skandalit “D’Addario” në Itali. Prostituta bareze, Patrizia D’Addario, e cila pat deklaruar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me kryeministrin italian Silvio Berluskoni, u vu në qendër të një hetimi që vazhdon akoma dhe sot, hetim i drejtuar pikërisht nga prokurori Scelsi. Kryerja e marrëdhënieve seksuale me politikanë në këmbim të favoreve, nuk është një e re në politikën perëndimore dhe as për hetuesit, të cilët, nga SHBA, Francë, Britani e Madhe apo Itali përballen me një fenomen të tillë (kujtojmë Klinton-Levinski); ndërsa hetimi i politikanëve të cilitdo krimi e rangu, mbetet ende një tabù për shoqërinë tonë. Ka një ndryshim të thellë që dallon drejtësinë e dy anëve të Adriatikut, Shqipërinë dhe Italinë: është pavarësia, profesionalizmi, serioziteti, karizma nga një anë dhe ndrojtja, përulja, korrupsioni, mungesa e dinjitetit, që përgjithësisht ka prekur përfaqësuesit shqiptarë të kësaj peshoreje kaq të rëndësishme për demokracinë e një vendi. Nuk dua të idealizoj drejtësinë e shtetit fqinj e të anatemoj këtë tonën, por realisht, ka një diznivel edhe pse hapa përpara po bëhen. Si për shembull, në fushën e krimit të organizuar. Në këtë rrugë, Italia na ka marrë për dore dhe në vite, janë arritur rezultate të rëndësishme në goditjen e narkotrafikut apo bandave të prostitucionit. Faza finale është kalimi në ‘sitë’ dhe i politikanëve, të atyre që pushtetin e kanë përdorur për përfitime personale, duke zhvatur Shqipërinë. Besoj se shumë njerëz të Drejtësisë Shqiptare e kanë zemrën plot me dëshirën të punojnë që ligji të jetë njësoj për të gjithë. Dhe, ashtu siç po ndodh me krimin e organizuar, do të vijë dhe dita e hetimit të keqbërësve dhe në politikë. Si në çdo shoqëri të civilizuar.
Kështu, ishte e papritur kur shtëpia botuese e mirënjohur ‘Besa’, me qendër në Leçe, lajmëroi promovimin e librit të Giuseppe Scelsit dhe akoma më e papritur, kur në librin e parë të këtij prokurori italian shpaloset tërësisht me histori shqiptarësh e Shqipërie. Sot prezantohet dhe promovohet nga shtëpia botuese “Toena”, në ambientet e Panairit të Librit, “Tinguj dhe plumba”, një libër që lexohet me një frymë, shkruar befasisht bukur, po të mendojmë se del nga duart e një prokurori, që tregon për “Gazetën Shqiptare” se si vendosi të na e përcjellë këtë histori.
Shkruani librin tuaj të parë dhe e bëni për Shqipërinë, duke fokusuar problemet sociale, familjare dhe institucionale. Si na njihni kaq mirë?
Kur Evropa plakë nisi të interesohej për Ballkanin, unë isha në Bari, në një zyrë hetimi në kufi, kufiri detar që ndante Ballkanin, Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë nga Italia, nga Italia Jugore, nga Pulja. Një pikë e privilegjuar për mua, nga e cila munda të mësoja mbi klandestinitetin e kriminelëve italianë në Malin e Zi, Shqipëri e Greqi dhe për trafiqet ilegale që kalonin atë kufi drejt Evropës: trafiqe armësh, droge, cigaresh, qeniesh njerëzore.
Një pikë e privilegjuar vëzhgimi që më lejoi të thelloja njohuritë e një bote, të asaj të Ballkanit jugor, që e njihja, si shumë italianë të jugut, vetëm për bukurinë e plazheve të Greqisë dhe përmes një daljeje të shkurtër në vendet e ish-Jugosllavisë.
“Tinguj dhe plumba” është një libër me të vërteta të forta, edhe pse të mbuluara nga romanticizmi i historisë personale të personazheve: Shpërthimi i kazermave ushtarake në Shqipëri, trafiku i armëve të qeverisë shqiptare me Ruandën, përfshirja e politikanëve shqiptarë dhe llogaritë bankare në bankat e huaja. Ju keni hetuar vërtet mbi një histori analoge: sa ka të vërteta dhe sa janë fantazi në romanin tuaj?
Aktiviteti im profesional më ka çuar të has shpesh me trafiqe armësh të sjella ilegalisht nga Shqipëria në Itali, gjithnjë të konfiskuara dhe të shkatërruara. Nuk e fsheh habinë, kur ndodhesha në Shqipëri për probleme pune nga fundi i viteve ’90, dëgjova që dikush, pak metra larg, përdorte një pushkë automatike, një armë lufte edhe pse ishim në paqe.
Kur pastaj, në një gazetë italiane lexova për gjetjen e një dokumentacioni që faktonte shitblerjen e armëve shqiptare rebelëve të etnisë hutu në Ruanda, ngrita shumë pyetje plot ankth, të cilave u dhashë përgjigje me forcën e imagjinatës sime. Sepse imagjinoj, nën petkun e idealeve të mëdha, shpesh dhe pa dijeninë e liderëve politikë, fshihen afaristë të çdo lloji.
Një pjesë e rëndësishme e librit është historia personale e Filip Galimunës. Marrëdhëniet me gruan që e tradhton me trafikantin e qytetit, vdekja e një djali si pasojë e krizës së familjes, pastaj rilindja në Itali dhe vendimi i Galimunës për të mos u hakmarrë ndaj rivalit të tij që i kërkon ndihmë nga burgu i Torinos. Përse vendosët t’i jepni këtë kthesë personazhit tuaj? Në fund, trafikanti i armëve bëhet një personazh pozitiv. Është një katarsis që normalisht kryhet vetëm në fantazinë letrare?
Jo, nuk besoj. Burra dhe gra, në emër të idealeve të mëdha, mund të kryejnë pisllëqe të ulëta. Po kur jeta i çon këta burra dhe gra të kuptojnë gabimet – humbja e një biri është për Filipin dhe Ilirinë një tërmet emotiv që nuk mund të pranojë përsëritje - në këtë pikë, pjesa më e mirë e këtyre njerëzve i lejon të rifillojnë gjithçka nga e para.
Maestro Mondelli i ofron një ndihmë të madhe familjes Galimuna, duke i hapur dyert e shtëpisë dhe duke ndihmuar Filipin të gjejë rrugën e suksesshme të artit. Mondellit i mjaftoi një letër rekomandimi nga një koleg shqiptar për t’i besuar e për të ndihmuar këtë familje. Duket metafora e një Italie, që sidomos në vitet e para të emergjencës së emigracionit, tregoi tolerancë dhe mikpritje ndaj shqiptarëve. Pastaj, humori i italianëve ndaj shqiptarëve ndryshoi. Imazhi i trafikantëve errësoi atë të shqiptarëve të mirë?
Është e vërtetë. Imazhi që ofroj për italianët (përmes personazhit të Maestros Mondelli), nuk është më ai që përfaqësohet sot, i një ndjenje refuzimi, për krijimin e së cilës ka ndikuar zhurma e ngjarjeve kriminale, ku janë përfshirë disa shqiptarë dhe nënvlerësimi i shumë shqiptarëve të tjerë që zgjodhën rrugën e integrimit në komunitetin italian. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të harrojmë se sa italianë kanë ofruar dhe ofrojnë një mundësi integrimi dhe sa shqiptarë e kanë zgjedhur Italinë si atdheun e dytë, ku të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve dhe integrimin e ligjshëm.
Librin ua dedikoni grave shqiptare dhe falenderoni personalisht tri bashkëpunëtore. Si e gjykoni gruan shqiptare?
Gratë shqiptare, gratë e këtyre viteve, janë shumë të forta, kanë hasur vështirësi të çdo lloji, duke mbajtur bashkë familje të ndara nga emigrimi e nga varfëria, dhe kjo do të thotë që pas kësaj force fshehin një ndjeshmëri të madhe.
Ju jeni prokurori që po hetoni në Itali çështjen “D’Addario”, e cila përfshin, edhe pse në terma jopenalë, dhe kryeministrin Berluskoni. Ndërsa në Shqipëri është gati e pamundur të hetohen politikanë, edhe kur verifikohen lidhje të qarta me mafian dhe korrupsionin. Si është situata e drejtësisë në Itali dhe si është raporti i një hetuesi në Itali përballë pushtetit politik? Sa i rëndësishëm është roli i drejtësisë në demokracinë e një vendi?
Zakoni im është të mos flas për çështjet në hetim. Por, përgjithësisht, mund të them se si edhe në Itali, ngjarjet e fundit tregojnë se sa e vështirë është puna e hetuesit, sepse, kur në hetim janë njerëz të rëndësishëm, njerëzit e drejtësisë janë të zbuluar ndaj rrezikut të përbaltjes, nga e cila është e vështirë të mbrohesh.
Filip Galimuna është një trafikant armësh që ia del paq ndaj drejtësisë, falë performancës në piano dhe falë maestros fiorentin që nuk interesohet për të shkuarën e këtij togeri-gjeni. Është kaq e lehtë dhe në realitet për një trafikant të “pastrojë” biografinë e tij?
Jo, nuk është absolutisht e lehtë. Por, Filip Galimuna bëri ato zgjedhje, i diktuar nga ideologjia dhe jo nga perspektiva e fitimit të paligjshëm. Shumë shqiptarë mund të kenë bërë zgjedhje të gabuara, të diktuar nga ideologjia e kohës. Por pikërisht për këtë arsye, janë të gatshëm të nisin një jetë të re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›