E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shelsi: Kur komunistët shqiptarë bënin trafik cigaresh

Giuseppe Shelsi, prokurori italian, i cili mbërriti në vendin tonë për të promovuar romanin, "Tinguj dhe plumba", dha një intervistë ekskluzive për Ilir Babaramon në emisionin e tij "5 pyetje nga Babaramo". Prokurori italian, në mes të tjerave zbulon se trafiku i cigareve mes Shqipërisë dhe vendeve të perëndimit lulëzoi në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Sipas tij, anije, në formën e magazinave të mëdha, furnizonin anijet e vogla në mes të detit Adriatik. E kjo ka ndodhur pikërisht, në kohën kur në Shqipëri sundonte regjimi komunist. Shelsi flet edhe për lidhjet e krimineleve shqiptarë me ato italianë, dhe sesa ngjajnë grupet kriminale me njëri-tjetrit. Ai thekson ndër të tjera se reforma "Duart e Pastra" bëri që hetimi në Itali të kishte më rezultat para se të ekzistonte kjo strukturë.

Doktor Shelsi, mirëmbrëma: Do të doja t'ju pyesja, a është e pamundur të hetoni mbi një çështje ku është i përfshirë edhe kryeministri i vendit? Kam parasysh skandalin D'Adario...
Për shkak të kostumit të cilin mbaj, pra detyrës sime, nuk flas për hetimet që janë në zhvillim.
Prej sa muajsh po hetoni mbi këtë çështje?
Megjithatë, mund të them se prokuroria italiane është një prokurori e pavarur, ndaj dhe mund të kryhen hetime dhe të pranojmë përgjegjësinë e karakterit penal, e kështu mund të punohet mbi termat që përmbajnë ligjet e procedurës penale.
Keni pasur presione politike direkte, apo ndoshta indirekte mbi këtë çështje?
Shikoni, mbi këto çështje nuk mund të flitet për presione, në mënyrë absolute. Vëmendja e opinionit publik dhe e mediave është shumë e lartë. Sigurisht që media arrin të shprehë opinione të caktuara më shumë se për temat e tjera. Varet nga pavarësia e gazetës apo televizionit, ose dhe ndjeshmëria e tyre për këtë apo atë parti politike.
Keni folur për vëmendjen që i jep media kësaj çështjeje, apo në përgjithësi?
Një gjë e tillë ndodh në të gjithë botën, këto lloj verifikimesh tërheqin vëmendjen e opinionit publik, sepse opinioni publik është i interesuar për të ditur. Ndaj, vëmendja e gazetave dhe televizioneve është shumë e fortë.
Çfarë ndjen një gjyqtar kur lexon një artikull në një gazetë, apo shikon një kronikë në televizion, lidhur me një çështje për të cilën ai ka një sërë dosjesh mbi tryezë?
Në raste të tilla, gjyqtari duhet të lexojë ato që janë shkruar në gazeta, por jo të ndikohet. Jo vetëm për shkaqe investigimi. Duhet të vlerësojë faktet, të vlerësojë rrethanat dhe vetëm mbi këto duhet të marrë vendimet e duhura. Sigurisht që vendimi nuk mund të jepet duke u bazuar mbi atë së çfarë thonë gazetat apo televizionet, qofshin ato kundër apo pro një çështjeje. Edhe në këto raste gjykata duhet të jetë e pavarur.
Kjo është ajo se si duhet të jetë, por çfarë ndodh realisht?
Nga eksperiencat e mia ka ndodhur pikërisht kështu. Duhet të ketë edhe të tjerë që mendojnë ndryshe, por duke u bazuar në eksperiencat e mia, një gjykatës në Itali përpiqet gjithmonë të bëjë detyrën e tij, kështu që nuk varet nga presioni i opinionit publik.
Në një situatë të tillë, nxeheni apo qeshni kur lexoni një artikull në gazetë lidhur edhe me këtë çështje, çështjen 'D'Adario'.
Shikoni, unë mbase kam lexuar diçka në fillim dhe ndoshta kam qeshur pak mbi këtë rast.
Çfarë kishte për të qeshur?
Kam qeshur për vëmendjen ekstreme që u kushtohet këtyre problematikave. Kur një çështje është komplekse, ka pasur momente të shkurtra, punë sekondash që mund të kem qeshur.
Opinioni publik nuk duhet të ketë dëshirë për të ditur apo për të folur mbi këtë çështje? Apo ndoshta nuk është kaq e rëndë?
Për të sqaruar opinionin publik, gazetat, televizionet mund të flasin për këto çështje. Mendoj se e kanë të gjithë këtë të drejtë. Por, pyetja që më bëtë ju është, nëse ato ndikojnë në punën e një gjykatësi. Ato, as nuk ndikojnë dhe as nuk duhet të ndikojnë.
Kjo çështje, në çfarë rrethanash është dizenjuar?
E keni fjalën se në çfarë rrethanash është zbuluar? Për këtë kanë shkruar edhe gazetat. Hetohej për disa skandale lidhur me sektorin e shëndetit publik, dhe në ato momente na tërhoqi vëmendjen tonë një zotëri. Më pas dolën në pah disa aspekte që tërhoqën vëmendjen e opinionit publik, të gazetave etj.
Çfarë lidhje kishte mes këtij hetimi dhe kësaj çështjeje?
Janë çështje që kanë lidhje, duke qenë se gjithçka ishte përreth disa personave të caktuar në Bari, të cilët kishin më shumë kontakte. Janë fakte, të cilat zbulohen kur kemi të bëjmë me njerëz të caktuar...
Tashmë, a është gati që kjo çështje të shkojë në gjykatë, apo duhen kryer më shumë hetime?
Lidhur me këtë, unë nuk dëshiroj të bëj më shumë komente. Nuk mund të them më tepër, për shkak të kostumit që unë mbaj dhe që e kam mbajtur me shumë vështirësi që në ditët e para, për vetë faktin se edhe vëmendja e gazetave ishte shumë e fortë.
A keni prova?
Nuk mund të jap më tepër përgjigje për këtë temë.
A është e nevojshme që kryeministri Berluskoni të kërkohet nga ju për t'i bërë pyetje?
As për këtë nuk mund të jap përgjigje.
Ok, ndërrojmë argument atëherë. Flasim për një tematikë më të përgjithshme. 'Duart e pastra'. Ishte një mega-proces totalisht gjyqësor, apo ishte edhe produkt i disa kombinimeve politike të kohës?
Me sa di unë, në ambientet civile dhe gjyqësore erdhën në mënyrë të njëtrajtshme disa probleme. Ma më kujtohet vëmendja që bota e biznesit pati mbi këto hetime dhe si u përpoqën që të japin sqarime mbi këto hetime. Duke dëshmuar, nëse më kujtohet, sepse kanë kaluar shumë vite, kundër një force politike, e cila akuzohej sipas gjykatësve se pengonte konkurrencën e lirë mes bizneseve, veçanërisht në sektorin e prokurimit publik.
Pas "Duarve të pastra", tani duart janë, apo nuk janë të pastra?
U përpoq të përcaktoheshin rregullat për të shmangur, që të mos biem në një stanjacion si ai i 'Duarve të pastra'. Mund të them se për sa i përket eksperiencës sime gjatë këtyre viteve në Pulia, pikërisht në sektorin e shëndetit kam mundur të konstatoj fenomene të ndryshme ndotjeje në ambientin e punëve publike, të tilla raste janë regjistruar.
Pra, kanë ndryshuar procedurat e prokurimit?
"Duart e pastra" është përpjekur të krijojë rregulla për të shmangur në një farë mënyre përsëritjen e episodeve të shëmtuara. Por sigurisht, nuk janë vetëm rregulla formale, por siç thashë, është eksperienca pulieze, të cilën unë e njoh më mirë dhe ajo ka treguar se edhe me rregullat e reja dhe mjaft strikte ekziston mundësia për t'iu shmangur atyre.
Edhe ne kemi disa probleme me prokurimet, me fondet publike. Çfarë duhet të ndryshojë tek ne?
Tek ju, unë nuk e di. Por për sa i përket eksperiencës pulieze, të cilën e njoh, mendoj se është e nevojshme mbi të gjitha një shtysë e re morale te personat e duhur. Politika nuk duhet të jetë një formë për realizimin e ambicieve personale, por duhet të jetë në shërbim publik për popullatën. Një rritje në kulturën politike, është një rritje e moralit publik.
Por përveç moralit, ku flitet në shkollë apo në kishë, le të flasim për gjyqësorin, ku flitet për ligjet më shumë se në ambientet e tjera. Çfarë duhet të ndryshojë, ose çfarë ka ndryshuar me procedurat në sektorët e tjerë në Pulia mbi këtë pikëpamje?
Ne bëjmë hetimet, ndaj jemi në gjendje që të sigurojmë disa rezultate, por sigurisht nuk jemi në gjendje që të shmangim fenomene të tilla. Për më tepër, unë nuk besoj se përgjigja gjyqësore është e vetmja që është e aftë të zgjidhë një problem shumë kompleks, siç është ai i moralit në politikë, apo në sektorët e administratës publike që merren me prokurimet dhe fondet publike.
E djathta italiane, por më së shumti, Berluskoni e akuzon drejtësinë si instrument politik. Është e vërtetë apo jo? A janë të instrumentalizuar gjykatësit? Janë akuza që bëhen prej njëzet vitesh?
Me aq sa i njoh unë faktet, nuk besoj. Ne e kemi detyrim të drejtën penale. Është detyrë që të hetojmë mbi të gjitha faktet që sigurojmë. Ndaj nga kjo pikëpamje, nuk e kemi mundësinë për të zgjedhur objektivat, kështu që përpiqemi të bëjmë hetime në 360 gradë. Gjithçka që vjen në vëmendjen tonë, ne kemi detyrimin që ta verifikojmë. Dhe pikërisht në Pulia, ne kemi bërë verifikime në sektorin e administratës publike, lidhur me zyrtarë të qeverisë rajonale në Pulia, që është një qeveri rajonale e qendrës së majtë. Ndaj nuk mendoj se këto konsiderata qëndrojnë apo janë të sakta.
Ju keni hetuar edhe raste që kanë të bëjnë me shqiptarët apo Shqipërinë...
Jam gjykatës i prokurorisë së Barit prej shumë vitesh. Më duhet të kujtoj se viti 1994 ishte vit domethënës për Ballkanin, por edhe në Pulia, gjithashtu. Ne po shikonim një botë, e cila po ndryshonte në mënyrë të shpejtë dhe të dhunshme. Jo vetëm në Shqipëri, me gjithçka që ndodhte atje, por edhe luftërat në ish-Jugosllavi. Pastaj na interesonte shumë sepse shumë kriminelë italianë zgjidhnin që të fshiheshin në Shqipëri, por mbi të gjitha në ish-Jugosllavi. Në ato vite ishte e vështirë që të kishim një bashkëpunim gjyqësor apo mes policive në ato vende. Ndaj, ne vëzhgonim nga një observator i privilegjuar, le të themi, gjithë këto ngjarje që kanë prekur edhe Italinë, Pulian apo zyrën time. Jemi përballur me trafiqe të lëndëve narkotike që vinin nga Shqipëria, trafiqe të qenieve njerëzore, të grave dhe të klandestinëve që vinin nga Shqipëria. Trafiqe armësh dhe cigaresh që vinin nga vendet e ish-Jugosllavisë.
Tani, cili është proporcioni i kriminalitetit që vjen nga Shqipëria, drejt anës tjetër të Adriatikut?
Tani është përhapur paksa harta e krimit.
Në ç'kuptim?
Në kuptimin se ka persona të kombësisë shqiptare që vazhdojnë aktivitetet e paligjshme, nuk është e thënë se operojnë nga Shqipëria. Kemi vënë re shpeshherë edhe diasporën shqiptare. Shpeshherë ata që janë brenda botës së krimit, nuk përdorin domosdoshmërisht Shqipërinë si platformë për realizimin e aktiviteteve të tyre të paligjshme.
Cila është çështja më e rëndë që keni hetuar lidhur me Shqipërinë?
Pikërisht këto aktivitete të trafikut të sasive të mëdha të lëndëve narkotike. Sigurisht që këto janë rastet më të mëdha që ne kemi pasur në vëmendje.
Sasi të mëdha... është pak evazive.
Hetimet tona marrin në konsideratë grupet e organizuara dhe ato janë në gjendje të merren edhe me sasi të mëdha, tonelata prej lëndësh narkotike.
Tonelata heroine apo kanabisi?
Tregu italian është shumë i interesuar, mbi të gjitha për kokainën.
Nëse flasim për një industri të lëndëve narkotike, çfarë sasie parash xhironte grupi më i madh, i organizuar që keni sulmuar?
Mund të themi se kemi arritur të shikojmë investime të rëndësishme në Itali si diskoteka, restorante, të cilat janë bërë edhe objekt sekuestrimi nga gjykata italiane.
Këto objekte u përkisnin shqiptarëve?
Po, po, u përkisnin shqiptarëve. Investime, të cilat i kishin bërë në Itali.
Në librin tuaj që keni publikuar, flitet edhe për kontrabandë armësh. Personazhi kryesor është një trafikant armësh që vinte nga Shqipëria në Itali. Bëhet fjalë për 'fiction', apo ka edhe diçka të vërtetë?
Libri im lindi disa vjet më parë, pra ideja e librit lindi nga një artikull i botuar në gazetën 'Corriere della Sera'. Ishte një korrespondent i shkëlqyer, që mendoj se është ende në Afrikë, i gazetës 'Corriere della Sera', i cili kishte hyrë në një kamp rebelësh të njohur si Utu. Ai përshkruan këtë udhëtim dhe kampin e paraushtarakëve Utu në Ruanda, dhe kemi parasysh që në Ruanda kishte tentativa për grusht shteti, ku shumica Utu kërkonte eliminim dhe largim nga pushteti të minoritetit Tutci, ku për pasojë u kryen vrasje masive, për të cilat u hap edhe një seancë gjyqësore në tribunalin e Hagës për krimet e luftës. Dhe ky korrespondent, i cili mbërriti në kampin e paraushtarakëve rebelë Utu, vuri re që kampi ishte braktisur, por arriti të gjejë dokumentacionin që tregonte për armatimin e këtyre rebelëve që kryen vrasjet masive. Dhe këto dokumente tregonin për një furnizim armësh që vinte nga Shqipëria. Nga këto të dhëna dhe fakte u nxita, duke pasur parasysh edhe lajmet se e gjithë Shqipëria ishte armatosur, që kishin shpërthyer kazermat duke grabitur armët. Edhe në Itali ndodhte që të sekuestronim armë të tilla, ndaj ishte krijuar ideja që shqiptarët kishin hapur dyert e armëve, të cilat mbërrinin edhe në Itali. Ky është një fakt historik, mbi të cilin ndërtova historinë, duke e shoqëruar sigurisht me detajet e imagjinatës dhe krijimtarisë. Është një histori e një populli, por edhe e një familjeje që përjeton momente dramatike, që rrezikon shumë, por gjithashtu kalon edhe momentet e rritjes personale.
Doktor Shelsi. Si janë rritur personazhet tuaj? Cila është dinamika e tyre në këtë libër?
Personazhet janë një shprehi e një bote që ndryshon. E një bote që nuk është vetëm e një regjimi ku është formuar kultura e tyre. Mendoj se janë paksa edhe shprehi e një populli të mbyllur ndaj botës dhe në një farë mënyre, të lidhur me traditat e tyre, me formimin e tyre kulturor krijuar në shekuj. Janë dy fabula, njëra që ia tregon nëna së bijës, dhe e bija që ia tregon të birit, pra i trajtoj fabulat si forma të transmetimit të miteve. Forma e transmetimit të mitit të heroit, i cili duke përdorur dhunën rrezikon të dobëtin. Kam dashur, ose kam tentuar pak a shumë të them se kjo formë e transmetimit të kulturës stërgjyshore të një populli të mbyllur për botën, rrezikonte të izolohej më tej deri në momentin që kur kjo kulturë vihej në krize, në atë pikë ndodhte procesi i rritjes, jo vetëm i burrit, por edhe i gruas dhe djalit më të vogël. Në versionin italian, kam kërkuar që t'i vendos titullin, 'Ngjyra e shegës'. Ngjyra e shegës është e kuqe. Por përse? Sepse në një pjesë të librit flitet për shegën dhe djali i vogël, thotë se e kuqja nuk është ngjyra e shegës, por e gjakut dhe hakmarrjes. Prandaj mbyllet kjo faqe e urrejtjes së asimiluar gjatë gjithë atyre viteve dhe shënohet procesi i rritjes, rritje në respektim të tjetrit. Ky është thelbi i rritjes së protagonistëve.
Doktor, tani dua t'ju pyes si prokuror. Ju keni hetuar raste të trafikimit të armëve që vinin nga Shqipëria?
Më ka ndodhur disa herë që të merrem me raste trafiku armësh, që kishin lidhje me lëndët narkotike. Rastet e trafiqeve të armëve kanë pasur të bëjnë me vende të tjera të Ballkanit.
Cilat vende?
Mund të përmend italianët e arratisur në Malin e Zi, që ishin kapot e një bande nga Bari. Përfaqësuesit e tyre në Bari kishin vënë lidhje me napolitanët për t'u marrë me hashashin që vinte nga Spanja dhe Maroku. Kështu që italianët nga Bari, blinin hashashin nga napolitanët dhe ndërmjetësuesit në Spanjë në formë këmbimi, për hashashin kërkonin armë. Por, jo armë dosido. Ata kërkonin armë për të bërë atentate. Pra, ndodhi bashkimi i kërkesës me ofertën, hashash nga Spanja për një grup nga Bari, armë nga Mali i Zi për të mbërritur në Itali. Pastaj në ato vite, nga mesi i viteve '90, disa prej vrasjeve të kryera nga mafia në Bari janë kryer me armë që vinin nga teatri ballkanik.
Cila është historia e kontrabandës së cigareve? Çfarë dinamike ka pasur?
Pas luftës se Dytë Botërore, Napoli, ishte epiqendra e kontrabandës në Mesdhe, sepse porti Tangere, ishte vendi ku një pjesë e mirë e Mesdheut sillte mallrat e tij, mes të cilave edhe cigaret që hynin në Itali, Francë dhe Spanjë. Me pas porti Tangere mbyllet, kështu që lindi nevoja për të gjetur vende të tjera për t'i përdorur si platformë, dhe napolitanet nga vitet '80 zbuluan vendet e ish-Jugosllavisë si vendet që duhet të bënin tranzitin e cigareve pa taksa.
Nga vinte kjo sasi cigaresh?
Nga kompanitë prodhuese, të cilat i depozitonin ngarkesat e tyre mes Francës, Belgjikës dhe Holandës. Në portet e tyre mbërrinin cigaret e kompanive amerikane. Me pas mbërrinin në vendet e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj u zgjodh rruga e Shqipërisë.
Gjatë viteve '80?
Jo, jo, në fillim të viteve '90 nëse nuk gaboj. Ndoshta pak më përpara.
Nëse thoni pak më përpara…
Nga fundi i viteve '80, fillimi i viteve '90.
Në vitet 80', edhe një mizë nuk lëvizte dot pa lejen e shtetit.
Këtë nuk e di. Ajo që dimë janë vendime të vjetra nga gjykatësit e Barit, bëhej fjalë për anije të mëdha të cilat lëviznin në detin Adriatik kështu që skafet e napolitanëve qarkullonin gjithashtu në brigjet e Adriatikut. Pra, niseshin nga Bari, nga portet e vogla mes Barit dhe Brindisit. Mbërrinin në mesin e Adriatikut, furnizoheshin dhe ktheheshin në Pulia. Këtë gjë e kishin konfirmuar edhe kontrabandistët, që në atë kohë ekzistonin këto anijet e mëdha magazinë që furnizoheshin në Shqipëri. Paguanin në dollarë, sigurisht, dhe më pas ktheheshin sërish në detin Adriatik. Më pas ndodhën ndryshimet politike në Shqipëri, ndryshime sociale...
Gjatë '91-it...
Po, më pas u zgjodh sërish rruga e Malit të Zi.
Cila ishte sasia që trafikohej gjatë vitit '89-'90?
Nuk e di, sepse unë jam marrë në mënyrë profesionale me këtë çështje vetëm kur platforma ishte spostuar në vendet e ish-Jugosllavisë. Por mund të them, sepse ma kanë deklaruar disa persona, që më parë kishin punuar me anijet magazinë që furnizoheshin në Shqipëri.
Po tani, a ka kontrabandë cigaresh mes Shqipërisë dhe Italisë?
Nëse ka, duhet të jenë në sasi shumë të kufizuara. Nuk besoj se ka.
Nëse nuk gabohem, ju keni hetuar edhe çështjen e kryeministrit malazez Gjukanoviç. Kjo çështje është mbyllur?
Për këtë nuk mund të jap deklarata, sepse rasti i tij apo i një drejtuesi të një shteti të huaj nuk mund të jetë nën juridiksionin italian.
Kush e ka thënë këtë?
Jo, këtë e kemi thënë ne, ia kemi kërkuar gjykatësit bazuar në ligjet tona ashtu si një drejtues i shtetit italian nuk mund të ndiqet nga një vend tjetër.
Parimi kryesor i ligjit është se të gjithë jemi të barabartë para ligjit.
Po, por ne kemi konventa dhe rregulla që duhen respektuar dhe kur bëhet fjalë për një drejtues të lartë të një shteti tjetër kemi rregulla precize për të mos ndërmarrë hapa ligjorë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një vend që njihet në mënyrë universale, siç është Mali i Zi.
Ministria e Jashtme kishte dorë në këtë vendim?
Jo, ministri i Jashtëm në rastin tonë mundet vetëm të na japë një konsulencë të profilit juridik, për të njohur më mirë një vend të huaj. Por, vendimin përfundimtar e merr gjykata.
Për faj të historisë, në Ballkan ka armiqësi mes fqinjëve. A është e njëjta gjë mes kriminelëve apo kontrabandistëve?
Nuk më kujtohet të ketë pasur shumë armiqësi mes italianëve që merreshin me aktivitet të paligjshëm në Malin e Zi dhe malazezëve. Ata kanë gjetur mënyrën e tyre për të mbijetuar. Apo me bandat shqiptare, ata kanë gjetur mënyrat e tyre. Në Itali nga ana tjetër, veçanërisht në vitet e para, bandat e kriminelëve shqiptarë merreshin me trafikun e vajzave, për shfrytëzim seksual. Dhe kjo gjë nuk ndiqej nga kriminaliteti italian, sepse kriminaliteti italian në statutin e tij nuk e kishte shfrytëzimin seksual. Kështu që i linte rrugë të hapur kriminalitetit shqiptar.
Si prokuror, ju e keni pyetur veten, përse mafia ishte kaq e fortë në Itali? Apo ndoshta vazhdon të jetë, kush e di?
Mafia nuk është vetëm në katër rajonet e Italisë së Jugut si një antishtet, apo një ushtri, që një ushtri tjetër arrin ta mundë. Ishte pjesë e kulturës lokale...
Në ç'kuptim, në kulturën lokale?
Ishte dikur shprehi e një kulture që karakterizonte pjesë të caktuara të popullatës, apo pjesë të caktuara gjeografike.
Nuk e kuptova...
Në sensin që disa raporte të caktuara sociale, shpeshherë ishin të rregulluara nga ligjet e mafias, pra më shumë nga prania e mafias sesa nga ligjet e shtetit. Por, nuk është vetëm kjo. Penetrimi në pëlhurën sociale ishte shumë i fortë. Dhe për të shmangur një konfrontim me ushtrinë e të ligjshmeve, u praktikua ajo që quhet penetrim në administratën lokale, dhe kjo nuk ndodhi vetëm në Pulia, por edhe në pjesë të tjera të territorit të Italisë së Jugut. Prandaj, ishte më e vështirë për t'i mundur. Sot shteti ka ngritur një strukturë shumë të fortë...
Anti-mafian. Çfarë ka organizuar, çfarë ka ndryshe nga fushat e tjera të gjyqësorit? Përse është specifike?
Reagimi gjyqësor, lindi nga nevoja për të bashkuar të dhënat. Zyrat tona gjyqësore, ishin secila më e ndarë nga tjetra. Prandaj nuk arrinim të bashkonim dot faktet në mënyrë të koordinuar, jo vetëm nga zyrat jashtë gjykatës, por ndonjëherë edhe brenda vetë gjykatës, prandaj përfundonim duke hetuar mbi një fakt të vetëm. Mbi një episod të vetëm, pa pasur mundësinë e një hetimi të përgjithshëm. Ideja ishte mbi të gjitha që t'i vendosnim në një rrjet njohuritë tona, për të krijuar lidhje e për të pasur dijeni të përbashkët mbi këto fakte. Kjo kërkonte sigurisht, strategji pune, që ishin shumë më të forta. Kjo ka bërë që edhe forcat e policisë të koordinoheshin më mirë dhe ajo çfarë është e rëndësishme, krijonim idenë e ligjit në shkolla dhe në shoqëri.
Në Vlorë, një muaj më parë, u arrestua Albino Prudentino me kërkesën e prokurorisë italiane. Prokuroria shqiptare ka thënë se, Prudentino ishte një prej bosëve më të mëdhenj të 'Santa Corona Unita'. Ishte një ngjarje për drejtësinë në Shqipëri, por edhe për bashkëpunimin e dy gjyqësorëve, atë në Shqipëri dhe Itali. Ju e keni hetuar familjen Prudentino?
Vite më parë. Më kujtohet që së bashku me Guarda di Financa, jemi interesuar për këtë person, për familjen Prudentino, për Albino Prudentinon apo ndonjë djalë të tij, që organizonin trafikun e cigareve nga Greqia drejt Italisë. Albino Prudentino ishte në Greqi në atë kohë. Pastaj iu nënshtrua procesit, zgjodhi procedurën e përshpejtuar dhe me sa më kujtohet edhe u dënua.
Prudentinot janë të njohur në botën e mafias apo janë raste të zakonshme?
Janë të njohur, sigurisht si kontrabandistë cigaresh. Megjithatë, i përkasin një zone gjeografike që i përket Pulias së Jugut që është një zonë gjeografike, që nuk hynë në kompetencat e zyrës gjyqësore ku punoj. Me këtë rast jam marrë kur kontrabanda e cigareve që vinte nga Greqia ishte një proces që i interesonte edhe pjesëve të tjera të territorit italian. Sepse kanë bërë edhe kontrabandë cigaresh drejt rajonit të Barit, që është në kompetencën e zyrës gjyqësore ku punoj, rajonit të Leçes. Më pas kur kontrollet e brigjeve sa vinin dhe bëheshin më të forta tentuan në Kalabri, tentuan në Sicili, apo kudo ku do të mund të gjenin rrugë të lira për kontrabandë.
A kishin lidhje apo ndonjë mbështetje të vogël politike?
Jo, nuk besoj, në atë kohe absolutisht jo. Ata jetonin në Greqi.
A kanë të përbashkëta kriminaliteti shqiptar me atë të jugut të Italisë? A ka ngjashmëri? Cilat janë këto ngjashmëri?
Besoj se strukturat kriminale tentojnë të ngjasojnë në mënyrën sesi organizohen. Pra, kanë një strukture hierarkike, me drejtues, me vartës, persona që kanë detyra specifike, siç është tregtia, transporti, apo ata që merren me investime. Pra ka një strukturë hierarkike që duhet patjetër të jetë e ngjashme me strukturat kriminale në vende të tjera të botës.
Ka edhe strukturë familjare? Në fillim babai, pastaj djemtë?
Po, është edhe kjo. Edhe pse në Itali, organizatat më të rrezikshme mafioze janë rrjete, janë ato që kanë rregulla pranimi nëpërmjet ceremonisë së birësimit. Ky është një rit që bëhet duke thënë me gojë disa fraza. Janë fraza të cilat kalohen gojarisht brez pas brezi. Ashtu siç bëjnë edhe masonët në Itali. Po, kanë shumë të përbashkëta, pastaj kanë edhe disa gjeste simbolike...
Cilat janë këto gjeste, këto fraza që thuhen?
Varet nga fjalët sipas gradave të secilit, ka një formulë të ndryshme. Por përveç kësaj, ka gjeste simbolike, që një herë e një kohë, në traditën e Kamorrës apo Ndragetës, bënin një prerje në damar, për të nxjerrë pak gjak, sepse vetëm duke përzier gjakun me gjakun e atij që birësohej në organizatë, bëhej një bashkim i gjakut. Pra, bëheshin vëllezër të një gjaku. Një lidhje e fortë që kryhej nëpërmjet ritualit. Tani bëhet me prerjen e gishtit...
Bëhet edhe tani ky ritual?
Bëhet sërish. Madje është arritur që gjatë përgjimeve apo kamerave të fshehura nga njerëzit e drejtësisë, të shihen ceremonitë e këtij lloji. Sigurisht që një njeri me kulturë kjo e bën për të qeshur, por për ato persona që nuk kanë ndonjë nivel kulturor të lartë, kjo është një mënyrë për të mbërritur në një nivel tjetër. Kjo është tipike e strukturës mafioze të organizatave italiane dhe nuk mendoj se është pjesë e një strukture organizatave mafioze ballkanike. Megjithëse, kemi mësuar se kriminelë nga Mali i Zi kanë marrë pjesë në ceremoni të tilla të kryera nga mafiozë italianë në Malin e Zi.
Si është jeta e një prokurori të anti-mafias?
Varet nga momentet. Varet nga proceset. Ka momente shumë të vështira, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kërcënimet. Momente të vështira ka edhe kur rezultatet e hetimeve vonojnë të mbërrijnë ose nuk mbërrijnë asnjëherë...
Si bëhen kërcënimet, me telefon, apo ka ndonjë kod?
Ka letra anonime, ka biseda të cilat arrihen të kapen. Apo persona të tjerë që flasin për atentate të ndryshme që nuk janë gjithmonë të vërteta, por gjithsesi janë mesazhe që kur vijnë krijojnë shqetësim.
Janë prokurorët të mbrojtur nga shteti?
Po, kur është e nevojshme, sigurisht që mbrohen nga shteti.
Në çfarë mënyre?
Me eskorta, makina të blinduara.
Edhe familjet e prokurorëve?
Ndonjë herë po. Por kjo ndodh në momente të caktuara. Por nuk besoj se është ky momenti më i vështirë në jetën e një prokurori. është më e vështirë kur nuk arrin të bindësh ata që do të merren me gjykimin mbi bazën e provave që disponon. Jo vetëm ne, por shumë policë, karabinierë me të cilët kemi punuar, duhen marrë në konsideratë.
Keni bashkëpunuar me kolegë shqiptarë?
Po.
Po aktualisht, a po bashkëpunoni?
Po, po. Sigurisht, kur kemi të bëjmë me verifikime të rëndësishme.
Keni aktualisht ndonjë çështje të rëndësishme?
Mos ma bëni një pyetje të tillë. Gjithsesi, bashkëpunimi do të jetë, sigurisht.

(d.b/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›