Nënat që lindën në 29 shkurt: Do i regjistrojmë fëmijët në 1 mars
Vetëm dy lindje të planifikuara me operacion. Dominojnë meshkujt.
Nënat: Nuk na pëlqen shumë data. Do ti regjistrojmë më 1 mars.
Do ta festojnë ditë-lindjen e vërtetë një herë në 4 vjet. Kaq kohë duhet që muaji shkurt të ketë 29 ditë. Janë fëmijët e vitit të brishtë. Në dy maternitetet e Tiranës kanë ardhur dje në jetë 21 foshnja. Prej tyre 11 djem dhe 10 vajza. Lindjet kanë nisur sapo ka trokitur ora 00:00 në maternitetin Koço Gliozheni. Brenda 20 minutash patëm dy lindje. Ishin të dy djem. Pastaj, gjatë gjithë ditës, në total, kemi pasur 13 lindje, sqaruan mjekët e maternitetit. Sipas tyre, vetëm dy lindje kanë qenë me operacion të planifikuar, ndërsa 11 të tjera normale. Në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, të tetë nënat kanë sjellë në jetë foshnjat e tyre në lindje normale. Kjo lidhet edhe me faktin se prindërit përgjithësisht nuk duan që ditëlindja e fëmijës së tyre të jetë 29 shkurti, thonë mjekët.
Nënat
Mes dy emrave që kishte planifikuar, e ëma ka vendosur ta quajë Alan. Ai erdhi në jetë dje rreth orës 7:30 të mëngjesit dhe peshon 3.4 kg. I shëndetshëm dhe i urtë, është vetëm një nga 21 fëmijët e brishtë të këtij viti. Megjithëse e lumtur që pati një lindje normale e pa probleme, e ëma na tregon se do të kishte pasur dëshirë të lindte të paktën më 1 mars. Mendova se do ta shtynte pak, se të them të drejtën, nuk kisha dëshirë të lindte më 29 shkurt, por këto janë punët e Zotit. Ne do tia festojmë çdo vit ditëlindjen, pavarësisht se kur të rritet do ti tregojmë se të vërtetën e ka një herë në katër vjet. Të ketë jetën e gjatë, sepse është i mbarë, thotë Suela. Në dhomën e katit të parë të maternitetit Mbretëresha Geraldinë ka edhe dy nëna të tjera, të cilat ndajnë të njëjtin mendim me të. Vendosin vetë këta, nuk mund tua caktojmë ne ditën, thotë njëra prej tyre duke buzëqeshur. Mjekët na tregojnë se asnjë prej fëmijëve nuk ka pasur ndonjë komplikacion. E ndërsa pjesa më e madhe e prindërve pohojnë se do të kishin dashur ta shmangnin 29 shkurtin, ka edhe nga ata që nuk e kanë fare problem. Në pavijonin e lindjeve të maternitetit Koço Gliozheni, ndonëse e turpshme për të na dhënë emrin dhe fotot, njëra nga nënat na pohoi se nuk kishte ndër mend që në gjendje civile ta regjistronte më 1 mars. Unë kam lindur rreth orës 12 dje dhe nuk e kam fare problem. Edhe në gjendjen civile do ta regjistroj ditën që ka lindur. Është fëmija i parë dhe dhurata më e bukur që më ka bërë jeta. Për festë nuk ka problem fare, një herë në katër vjet do tia bëjmë të madhe. Vitet e tjera sdo ta lëmë pa festuar, sigurisht, tha nëna 26-vjeçare.
Viti i meshkujve
Në vitin 2008 kanë lindur masivisht vajza më 29 shkurt. Nga 16 foshnja, vetëm katër ishin djem. Ndërsa ky vit i brishtë duket se është i meshkujve. Nga 21 foshnja, 11 janë meshkuj. Të paktën 3 vitet e fundit, pas një bumi lindjesh të seksit femër, ku raportet arritën 1 me 5, duket se shqiptarët i janë rikthyer traditës e po dominojnë djemtë. Jemi në muajin e dytë të vitit dhe nuk e dimë si do të shkojnë deri në fund lindjet, por deri tani në total kemi më shumë djem se vajza. Edhe dy vitet e fundit bilanci vjetor ka treguar se po zbuten pak raportet, thonë mjekët e dy materniteteve. Nga sa pohojnë ata, po vihet re një tendencë rritje e lindjeve natyrale. Kjo jo vetëm pas rregullave të vendosura në maternitete, por duket se edhe vetë prindërit po ndërgjegjësohen. Problemi ynë ka qenë preferenca e shumë nënave për të zgjedhur lindjet cezariane. Kjo, për të evituar dhimbjet përgjithësisht. Por një lindje normale është gjithmonë më e shëndetshme dhe duket se prindërit po e kuptojnë këtë. Është shtuar ndjeshëm numri i nënave që kërkojnë lindje normale, ashtu siç e rekomandon mjeku, thonë bluzat e bardha.
21 foshnja kanë lindur dje, më 29 shkurt, datë që përsëritet një herë në 4 vjet. Pjesa më e madhe e lindjeve kanë qenë normale dhe të paplanifikuara, pasi përgjithësisht prindërit nuk kanë dëshirë që tua festojnë ditëlindjet fëmijëve në këtë datë.
11 djem dhe 10 vajza kanë lindur në të dyja maternitetet e vendit. Në krahasim me 2008-n, ku nga 16 foshnja vetëm 4 ishin djem, këtë vit të brishtë ata kanë tejkaluar numrin e vajzave. Tri vitet e fundit kanë nisur të përmbysen raportet e lindjeve, pasi për të paktën 5 vjet, foshnjat femra kanë qenë disa herë më shumë.
Legjendat e vitit të brishtë
Një herë në katër vjet viti kalendarik është me një ditë më shumë, pra nga 365 shkon në 366, dhe kjo pasi muaji shkurt është me 29 ditë. Kur ndodh kjo, atëherë quhet vit i brishtë. Historia e vitit të brishtë vjen nga kohët e lashta. Me mbylljen e vitit diellor, i cili kishte katër vite kalendarike, ndodhnin shumë ndryshime. Viti i brishtë, me kalendarin e vjetër, futej muaji XIII në vend të kësaj dite. Atë vit mbaheshin Lojërat Olimpike e të tjera të kësaj natyre, apo zgjidhej mbreti i ri që vriste të vjetrin, e kështu me radhë. Tri herë në histori të vendeve të ndryshme, shkurti ka pasur 30 ditë. Kjo ka ndodhur në Suedi në vitin 1712, në Rusi gjatë viteve 1931-1932 dhe sipas një thënieje, muaji shkurt ka pasur 29 (për vitet e brishta 30 ditë), mirëpo Perandori Augustin, për të barazuar muajin e pagëzuar sipas tij me muajin korrik (Juli – të pagëzuar sipas Jul Cezarit), ka vendosur që shkurti të ketë 28 ditë (për vitet e brishta, 29 ditë).
ZIRINA LLAMBRO