E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria 39 vite burg bandës së bankomatëve

TIRANË- Njësia e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit në leximin e pretencës kërkoi nga togat e zeza t'i deklarojë fajtorë 14 të pandehurit e akuzuar për vjedhjen e bankomatëve dhe t'i dënojë ata në total me 39 vjet e 5 muaj burg e 600 mijë lekë gjobë.

Kështu, mesditën e djeshme prokurori i çështjes Armand Gurakuqi, me leje të Gjykatës së Shkallës së Parë, lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj 14 të pandehurve, që kanë pranuar të gjykohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ndërsa vetëm një i pandehur i kësaj dosjeje ka kërkuar të vazhdojë gjyqin me procedura të rregullta.

Sipas prokurorit, të pandehurit e arrestuar në operacionin e policisë të koduar "Matrix" që janë shumica të moshës 20- vjeçare, kanë kryer vjedhje të konsiderueshme lekësh nga llogari të ndryshme bankare, duke klonuar kartat e kreditit VISA dhe MASTERCARD me informacionet e personalizuara të personave të tretë.

Sipas pretencës, të pandehurit kanë kryer rreth 400 vjedhje, nga të cilat 272 prej tyre në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës e më pas në Fier, Vlorë, Kavajë, etj.


Në këto qytete, të pandehurit, duke përdorur karta të kreditit të klonuara kanë vjedhur me anë të bankomatëve të ndryshëm, me anë të transferimit të parave nga një llogari bankare në tjetrën dhe blerjen e sendeve me vlerë duke shfrytëzuar llogaritë bankare të shtetasve të huaj, jo rezidentë në Shqipëri por në shtetet perëndimore e SHBA.


Sipas prokurorisë, të pandehurit me kryerjen e këtyre veprimeve në rreth 400 raste kanë kryer veprën penale të "mashtrimit" dhe "falsifikim të letrave me vlerë", të kryera në bashkëpunim më shumë se njëherë.


Sipas konkluzioneve të prokurorit Gurakuqi, i pandehuri që drejtonte dhe kryente "klonimin" e këtyre kartave të krediti është 20- vjeçari Endrit Gjergjani, ndaj të cilit u kërkua edhe masa më e lartë e dënimit, 8 vjet burg. Ndërkaq, masa më e vogël e dënimit u kërkua nga prokurori për të pandehurin Flamur Gashi, dënimin e tij me 5 muaj burg, që me vendimin e gjykatës duhet të lirohet nga qelia menjëherë për shkak të qëndrimit të tij në qeli gjatë kohës së paraburgimit.

Ndërsa, për tre të rinjtë, Fatmir Borshi, Klajdi Therolli dhe Fatmir Kalmarku prokurori kërkoi dënimin e tyre me nga 200 mijë lekë gjobë secili.

Sipas konkluzioneve, nga aktet e administruara rezulton se në data dhe subjekte të ndryshme tregtare shtetasit Gjergjani (Laro), Karapici, Çela, Çikani, Bare, Doko, Gjergjani (Laro) dhe dy kushërinjtë Abazi, kanë blerë mallra si telefona celularë, kompjuterë lap-top, veshje dhe shumë sende të tjera, me anë të kartave të debitit të falsifikuara. Po kështu për këto veprime kanë pasur dijeni të plotë shtetasit Terolli, Borshi, Kolmarku e Gashi, të cilët nuk kanë bërë kallëzim në organet kompetente.

Pas arrestimit të pandehurve në operacionin e policisë të koduar "Matrix" policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kartrash krediti të klonuara, pajisjen për karikimin e tyre, procesverbale të ndryshme nëpër banka që janë dëmtuar nga veprimet e të pandehurve. Pas leximit të pretencës, gjykata ndërpreu seancën gjyqësor për t'i lënë kohë avokatëve mbrojtës të përgatisin pretendimet përfundimtare

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›