E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, si do kontrollohen paratë e fushatës

KQZ-ja miraton procedurën e verifikimit të të gjitha parave, që subjektet elektorale do të përfitojnë dhe do të shpenzojnë

TIRANË- Fondet që do të përfitojnë partitë politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si nga Buxheti i Shtetit, ashtu edhe nga donacionet e ndryshme që mund të vijnë nga subjekte private, do të kalojnë të gjitha në "lupën" e KQZ-së.

Ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore, kësaj here, për shkak edhe të detyrimit ligjor, KQZ-ja ka vendosur që të jetë tepër strikte në verifikimin e të gjitha parave, që subjektet elektorale do të përfitojnë dhe do të shpenzojnë për zgjedhjet e 28 qershorit.

Për këtë qëllim, ky komision pritet të miratojë sot një udhëzim, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël, të licencuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore.

Ky udhëzim ka për qëllim të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes dhe procedurat e emërimit nga KQZ-ja të ekspertëve kontabël, me qëllim kryerjen e auditimit në mënyrë ligjore, të paanshme, transparente dhe profesionale të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009.

Sipas këtij projektudhëzimi, KQZ-ja i kërkon, fillimisht Institutit të Ekspertëve Kontabël të Licencuar, listën e ekspertëve kontabël të licencuar, nga e cila përzgjedh një listë prej jo më pak se 20 ekspertësh.

Ekspertët kontabël të licencuar duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, midis të cilëve, të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse dhe të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie, deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.

KQZ-ja, jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, organizon shortin për emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar nga lista e përzgjedhur, dhe emëron nga një të tillë për çdo subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhje, për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara.

Do të jenë vetë përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore ata që do të tërheqin me radhë goglat e shortit me emrat e ekspertëve kontabël, i cili do të kontrollojë fondet e krijuara dhe të shpenzuara nga partia e tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›