Nafta, nga Durrësi dhe Shëngjini, deri në qershor
Nafta dhe gazi do të futen në vendin tonë vetëm në portet e rinj të Porto Romanos dhe Pyllit të Sodës
Importi i naftës në dy portet kryesore të vendit, ishte parashikuar të ndalohej në shkurt, por është shtyrë për në qershor
TIRANË - Portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të lejohen të përdoren nga shoqëritë e hidrokarbureve për importin e naftës dhe gazit, deri në muajin qershor.
Pas këtij muaji, depozitat do të transferohen në Porto Romano, në Durrës, dhe në Pyllin e Sodës në Vlorë, dhe importi i këtyre produkteve do të bëhet vetëm në këto dy porte, që janë në ndërtim.
Një vendim i Këshillit të Ministrave, i datës 25 korrik 2007, parashikonte transferimin brenda shkurtit 2009 të cisternave dhe përpunimin e anijeve të kompanive që importojnë naftë dhe gaz nga portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, në zonën e Porto Romanos dhe atë të Pyllit të Sodës në Vlorë.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i ka kërkuar qeverisë miratimin e një vendimi, i cili të shtyjë me tre muaj kohë, deri më 30 qershor 2009, afatin e transferimit të aktivitetit të bizneseve të naftës dhe nënprodukteve të saj nga Portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, në Porto Romano dhe në portin që kompania "La Petrolifera" po ndërton në pyllin e Sodës në Vlorë.
Kërkesa e ministrisë është bërë pasi infrastruktura e nevojshme për këtë transferim, nuk ka arritur të përfundohet brenda afatit të parashikuar.
"Vendimi është marrë duke pasur parasysh se, deri në përfundimin e afatit 18-mujor për ndërprerjen e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, nuk ishte bërë ende funksional pontili i Porto Romanos.
Për të mos ndërprerë aktivitetin e import-eksportit të nënprodukteve të naftës, METE i ka kërkuar Këshillit të Ministrave këtë shtyrje të afatit",- citohet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Vendimi
Duke marrë parasysh kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një vendim tjetër më datë 11 shkurt 2009, ku për të mos ndërprerë aktivitetin e kompanive që merren me biznesin e naftës, u ka lejuar atyre vazhdimin e aktivitetit në portet aktuale dhe ka shtyrë deri më 30 qershor 2009, afatin e transferimit në portet e Porto Romanos dhe të Gjirit të Vlorës.
Krahas strategjisë për të ndërtuar park energjetik, shpërngulja e depozitave të naftës dhe të gazit nga këto porte, ka si synim edhe largimin e tyre nga qendrat e banuara, ku paraqisnin një rrezik real për jetën e banorëve që banojnë aty pranë.
Zhvendosja e depozitave në zonën e Porto Romanos, paraprihet nga ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për ankorimin e anijeve që transportojnë naftë ose gaz, dhe shkarkimin e ngarkesës në depozita, kapaciteti total i të cilave arrin në 50 mijë tonë.
Janë tetë kompani ato që ushtrojnë aktivitetin e tyre të importit të naftës dhe të gazit në këto porte dhe shumica e tyre janë në përfundim të ndërtimit të depozitave në zonën e Porto Romanos.