E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e punëtorëve: Berisha e dinte Gërdecin nga baxhanaku

 

Ish-punëtorët e fabrikës së vdekjes hynë në grevë urie pa afat, pasi qeveria nuk i plotësoi kërkesat e tyre

VORË- Ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit nisën dje një greve urie pa afat pasi qeveria jo vetëm që nuk iu ka plotësuar asnjë nga kërkesat por as që i ka marrë në shqyrtim ato. Punëtorët e fabrikës, shpërthimi i të cilës më 15 mars solli një katastrofë të vërtetë me 26 viktima e mbi 300 të plagosur, janë mbështetur në këtë grevë edhe nga të afërmit e tyre. Madje ata kanë akuzuar kryeministrin Berisha si i lidhur personalisht me fabrikën e Gërdecit pasi baxhanaku i tij ishte një ndër shefat që drejtonin punëtorët.

”Më datë 29 Maj i kemi dërguar një letër kryeministrit ku i kemi kërkuar të dëmshpërblehemi për tragjedinë që na ndodhi. Por sot (dje) pas kaq ditësh nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe kemi vendosur të hyjmë në këtë grevë me shpresën se hallet tona do gjejnë zgjidhje. E kemi paralajmëruar qeverinë të plotësojë kërkesat tona por ajo as nuk denjoi të na dëgjojë. Qeveria e di mirë që aty kanë vdekur 26 persona dhe të jetë në pritje që kjo listë do rritet me ndonjë nga në që kemi vendosur të flijohemi deri në plotësim të kërkesave”,- theksoi dje një nga përfaqësuesit e grevistëve, Andi Belliu. Ai është njëkohësisht edhe kreu i shoqatës së grevistëve të punëtorëve të fabrikës së Gërdecit. Kryesisht kërkesat e punëtorëve janë ekonomike, pasi siç shprehen ata dëmi psikologjik është i rëndë dhe nuk mund të ndreqet më. “Kemi hyrë në borxhe, kemi marrë vetëm një milion lekë të vjetra dëmshpërblim. Nuk dimë si të mbajmë familjet. Ne punonim, çmontonim plumba dhe shume nga ne u plagosën. As pension nuk mund të marrim pasi nuk ishim të siguruar nga pronari i fabrikës”,- shprehet një nga grevistët. Punëtorët pohojnë se të afërm të kryeministrit punonin në fabrikën e çmontimit të armëve në Gerdëc dhe se ai e dinte atë që bëhej atje. “Baxhanaku i tij, ekonomist, vinte sillte e merrte libra me makinën e tij të shtrenjtë”,- tha një nga grevistët duke i bërë thirrje qeverisë që t’i ndihmojë, pasi siç theksojnë ata “është më e pakta nga ajo që na shkaktoi dora e shtetit në Gërdec”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›