E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Dosja “Gërdeci”, po përgatisim pyetjet për Mediun

TIRANE – Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pritet të paraqitet javën e ardhshme në Prokurori për t’u marrë në pyetje lidhur me dosjen “Gërdeci”. 

Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se janë duke përgatitur objektin e pyetjeve që do t’i drejtohen ish-ministrit për të kërkuar prej tij sqarime lidhur me tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në ish-fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Sipas institucionit hetimor, mësohet se ish-ministrit do t’i kërkohet të dëshmojë rreth 19 episodeve që lidhen me urdhra dhe praktika të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat siç pretendon Prokuroria, bien ndesh me ligjet, vendimet e qeverisë në fuqi si dhe me rregulloret ushtarake. Gjatë ditëve të fundit volumi i veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e pozitës së ish-ministrit të Mbrojtjes në ngjarjen e Gërdecit, mësohet se është shtuar ndjeshëm. Të gjitha provat e reja dhe informacionet e gjetura gjatë këtyre hetimeve, mësohet se do të jenë pjesë e sqarimeve që duhet të japë në Prokurori, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Prokuroria zyrtarisht nuk konfirmoi nëse objekt i pyetjeve që do t’i bëhen Mediut do të jetë edhe çështja e shitjes së municioneve kineze nga ndërmarrja MEICO te kompania amerikane AEY. Megjithatë, sipas burimeve nga hetimi, ish-ministrit mund t’i kërkohen sqarime edhe lidhur me këtë çështje, pavarësisht se ai ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte fshehur asgjë derisa kompanisë amerikane i kishte deklaruar vitin e prodhimit të fishekëve që i janë shitur si dhe vendin e origjinës së tyre. Më tepër se dy muaj më parë, më 25 prill 2008, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit autorizim për hetimin e ish-ministrit Mediu në dosjen “Gërdeci”. Organi i akuzës në kërkesën për heqje imuniteti, drejtuar Kuvendit, renditi 20 shkelje të pretenduara sikur janë kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes. Ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij, duke treguar ligjet përkatëse dhe vendimet e Ministrisë së Mbrojtjes si dhe duke ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pas heqjes së imunitetit, javën e ardhshme ish-ministri i Mbrojtjes, i dorëhequr pas tragjedisë së Gërdecit, pritet të paraqitet për herë të parë në Prokurori për të dhënë sqarimet e tij.          t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›