E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave,pas pasaportave biometrike

Pas sinjaleve pozitive të një jave më parë nga homologu italian Franko Fratini, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, e sheh në rrugë të mbarë procesin e liberalizimit total të vizave me Bashkimin Evropian. 

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin parlamentar të Jashtëm, kryediplomati shqiptar i kërkoi politikës përshpejtim të ritmeve për përfundimin e reformës zgjedhore, si një ndër kushtet e besueshmërisë në sytë e ndërkombëtarëve. Edhe pse nuk ka ndonjë datë fikse, Basha në deklaratat e tij i qëndroi afateve të Frattinit, janari i 2009, që do të mundësojë qarkullimin e lirë të shqiptarëve në Evropë, pa diferencim kategorish. Ndërkohë për sa i përket anëtarësimit përfundimtar në Aleancën e Atlantikut, Basha deklaroi se duke filluar nga sesioni i ardhshëm parlamentar, vendet anëtare të NATO-s do të fillojnë në radhë ratifikimin e protokollit të pranimit për Shqipërinë. Basha theksoi se, “nisur nga kriteret e plotësuara nga Shqipëria, procesi i heqjes së vizave me vendet e BE-së do të jetë një proces afatshkurtër”. Kryediplomati e cilësoi si prioritare  pajisjen e shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, që do të ndikojë në procesin e liberalizimin të vizave. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, u shpreh skeptik në lidhje me këtë proces, për shkak se “Serbia mund të realizojë e para kushtet për liberalizimin e vizave, duke qenë më e favorizuar”. Por Basha e ka hedhur poshtë një dallim të tillë nga ana e BE-së, duke theksuar se “gjatë këtij procesi nuk do të ketë asnjë favor apo përqasje. Ndërsa Islami i kërkoi ministrit të Jashtëm një afat konkret për liberalizimin e vizave, por që nuk u dha nga ministri Basha një datë fikse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›