E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, vatra e shpërthimit 7 hektarë “zonë e minuar”

Ndërmarrja e import-eksportit të armëve MEICO ka vendosur në depot e ushtrisë në Shkozet të Durrësit, një sasi prej 59 kontenjerë me municione, një pjesë e të cilave të rrezikshme. 

Trazhgim Sokolaj

Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet kjo sasi municioni, Forcat e Armatosura kanë vendosur t’i zhvendosin ato në një depo tjetër më të sigurt. Procesi i hapjes së kontenjerëve dhe transportimit të municioneve, mësohet se ka filluar më 23 qershor 2006, ndërsa dje veprimet e efektivave të Forcave të Armatosura dhe specialistëve ushtarakë janë ndjekur nga afër prej ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ai ka inspektuar grup-depot ushtarake të import-eksportit të Forcave të Armatosura në Shkozet, ku janë vendosur 59 kontenjerë me municione të ndërmarrjes MEICO, e drejtuar deri pas tragjedisë së Gërdecit nga Ylli Pinari. Burimet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes thanë se, komandanti i operacionit për zhvendosjen e municioneve nga Shkozeti, nënkolonel Nezir Marku, i raporti ministrit Oketa mbi ecurinë e këtij procesi dhe masat e marra për zbatimin e standardeve të sigurisë për të shmangur ngjarje të padëshiruara. Mes municioneve që ndodhen në kontenjerët e MEICO-s në Shkozet, mësohet se ka edhe nga ajo kategori që konsiderohen “të pasiguruara” për transportin dhe magazinimin e tyre. Burimet zyrtare e cilësuan largimin nga zona të këtyre municioneve si shmangie të rrezikut për komunitetin në rajonin e Shkozetit dhe Durrësit në tërësi.
Ministri në Gërdec
Vatra e shpërthimit katastrofik të ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008 paraqet ende rrezikshmëri, pasi procesi i pastrimit të zonës ende nuk ka përfunduar. Nga 7 hektarë që është sipërfaqja e vatrës së shpërthimit, ushtria deri më tani ka mundur të pastrojë vetëm 700 metra katrorë. Kjo ishte vetëm një pjesë e raportimit që komandanti i operacionit “Kthim në Normalitet” në Gërdec, major Faik Skopeci, bëri dje para ministrit të Mbrojtjes, Oketa, gjatë inspektimit të këtij të fundit në zonën e Gërdecit. “Forcat ushtarake kanë punuar për pastrimin e zonës deri në rreze 200-300 metra nga vatra e kraterit të shkaktuar më 15 mars. Janë pastruar rrugët, oborret dhe banesat. Ka përfunduar rikonstruksioni i segmentit rrugor Marqinet-Gërdec me gjatësi 2 km; ka përfunduar pastrimi i zonës së rrezikshme përreth kraterit me sipërfaqe 11 hektarë, si dhe vazhdon puna për pastrimin e vatrës së shpërthimit, e cila përfshin një zonë prej 7 hektarë, ku deri tani janë pastruar 700 metra katrorë”, raportoi major Skopeci. Ai tha se forcat ushtarake kanë bërë kufizimin e zonës së rrezikshme me gardh, ku janë vendosur tabela sinjalizuese si “Zonë e minuar” dhe “Zonë ushtarake”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›