E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mund të përfitohet kredi e lehtësuar për të blerë shtëpi

Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe asaj të Transporteve. Përfitojnë familjet me të ardhura mesatare dhe pa banesë strehimi

Eljona Ballhysa
Ministria e Transportit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë bërë publike udhëzimin për masën e subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti. Në bazë të këtij udhëzimi, masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis ministrit të Financave dhe bankës, me interes 3%, që paguan familja mbi principalin e kredisë. Në bazë të udhëzimit në fjalë, do të jetë Ministria e Financave dhe e Punëve Publike që do të organizojnë punën për përzgjedhjen e bankës që do të kreditojnë familjet. Nga ky projekt përfitojnë familjet me të ardhura mesatare dhe pa banesë strehimi.
Përzgjedhja
Përzgjedhja e bankës do të bëhet nëpërmjet një oferte publike dhe transparente, e cila do t’u vihet në dispozicion të gjitha bankave që kryejnë shërbime në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bashkë me ofertën do t’u jepen dhe kriteret e përzgjedhjes së ofertës fituese. Përzgjedhja e ofertës fituese do të bëhet nga një komision vlerësimi që do të ngrihet me urdhër të ministrit të Financave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Transporteve dhe të Bankës së Shqipërisë. Pas përzgjedhjes së bankës do të nënshkruhet një marrëveshje midis saj, Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Financave. Më pas do të njoftohen bashkitë për fillimin e projektit.
Familjet
Për efekt të përfitimit të subvencionit, familjet që kanë aplikuar në bashki për programin e banesave me kosto të ulët dhe kanë të ardhura mesatare mujore, duhet të paraqiten pranë zyrave përkatëse të bashkive për të rikonfirmuar interesin për pjesëmarrje në projekt dhe për të rifreskuar të dhënat mbi të ardhurat dhe përbërjen familjare. Ky proces duhet të realizohet brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi. Udhëzimi është botuar në datën 28 tetor në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë së ka hyrë në fuqi dhe brenda muajit nëntor familjet e interesuara duhet të paraqiten në bashki. Bashkitë, brenda kuotave, pra numrit të familjeve që përfitojnë të përcaktuara nga Ministria e Punëve Publike, do të miratojnë listën e familjeve që përfitojnë. Përzgjedhja e familjeve do të bëhet në bazë të të ardhurave që kanë. Pra përfitojnë ato që nuk disponojnë banesë në pronësi dhe që kanë të ardhura familjare mujore brenda kufijve që përcaktohen në Ministria e Punëve Publike në bashkëpunim me bankën. Mosplotësimi i këtyre dy kushteve përbën kriter skualifikues. Por gjithashtu udhëzimi i ministrive bën të ditur se miratimi me vendim të Këshillit Bashkiak nuk e bën familjen automatikisht fituese. Banka mund të kërkojë dokumente plotësuese për të mbështetur informacionin e dhënë mbi nivelin e të ardhurave të familjes. Projekti në fjalë përfshin dhe familjet që banojnë si qiramarrës në banesa pronë të subjekteve të shpronësuara. Lista e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak brenda kuotave që përcakton çdo vit MPPTT-ja bazuar në buxhetin vjetor, i dërgohet bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja dhe një kopje Entit Kombëtar të Banesave. Diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka paguhet në mënyrë të menjëhershme nga familja.
Për secilën familje banka llogarit shumën totale të përafërt të subvencionit për të gjithë jetëgjatësinë e projektit. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë.

Si mund t’i kalojë e drejta e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, e drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja, për shkaqe të papritura, nuk mund ta vazhdojë shlyerjen e kredisë, njofton brenda një muaji nga krijimi i situatës së paparashikuar bankën dhe bashkinë përkatëse. Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionit që ajo ka përfituar nga shteti dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje midis bankës, familjes dhe bashkisë mund t’u jepet njëra prej zgjidhjeve të mëposhtme. Familja mund t’ia kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër që është në listën e bashkisë dhe që përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjen e kredisë. Mënyra e kalimit të kësaj të drejte dhe marrëdhëniet midis dy familjeve rregullohen me akt noterial midis palëve të interesuara. Zgjedhja e dytë, sipas udhëzimit, është që banesa mund të kalojë në pronësi të bashkisë vetëm pasi kjo e fundit merr përsipër shlyerjen e detyrimeve që i takon familjes në mënyrë të menjëhershme, ose me kredi sipas plan-pagesave të familjes. Subvencioni nga buxheti i shtetit ndërpritet nëse e drejta e shlyerjes së kredisë i kalon bashkisë. Në rast se nuk gjen zgjedhje asnjëra nga mundësitë e përmendura, banesa vlerësohet dhe shitet në ankand.

Kufiri maksimal i kreditimit sipas qyteteve dhe strukturës së familjes

Qyteti Struktura e familjes (nr. i personave) Struktura e Apartamentit Kufirimi maksimal i kredisë për familje
Tirana 2 Garsoniere 2.751.000
3 1+1 3.275.000
4 2+1 4.061.000
5-6 3+1 5.240.000
Durrësi 2 G 2.371.690
3 1+1 2.823.440
4 2+1 3.501.066
5-6 3+1 4.517.504
Shkodra 2 G 1.664.544
3 1+1 1.981.600
4 2+1 2.457.184
5-6 3+1 3.170.560
Kavaja 2 G 1.907.035
3 1+1 2.270.280
4 2+1 2.815.147
5-6 3+1 3.632.448
Vlora 2 G 1.713.197
3 1+1 2.039.520
4 2+1 2.529.005
5-6 3+1 3.263.232
Korça 2 G 1.805.362
3 1+1 1.797.040
4 2+1 2.228.330
5-6 3+1 2.875.264
Gjirokastra 2 G 1.805.362
3 1+1 2.149.240
4 2+1 2.665.058
5-6 3+1 3.438.784

Niveli mesatar i kredisë është llogaritur sipas nivelit të çmimit mesatar të shitblerjes së apartamenteve në treg dhe sipërfaqeve të banimit që përfiton familja konform normave të strehimit të fuqi. Në bazë të këtij kufiri maksimal, familja mund të gjejë një banesë me çmim më të ulët.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›