E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Protesta popullore për mbrojtjen e votës nga komploti Rama-Berisha



Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar komplot të rrezikshëm në kurriz të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme planin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të mënjanuar LSI-në nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet e numërimit të votave. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi kreun e PD-së Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, se kanë planifikuar vjedhjen masive të votave në zgjedhjet parlamentare, duke vënë seriozisht në rrezik demokracinë në Shqipëri. “Ky komplot është sot një rrezik shumë i madh real kundër demokracisë, e cila është goditur në zemër, si dhe kundër të gjithë shqiptarëve, sepse ka vetëm një synim, konsolidimin e një kaste politike mafioze me dy koka, duke u hequr të drejtën shqiptarëve të votojnë alternativa të tjera politike të pastra dhe që e kanë atdheun gjënë më të shtrenjtë të tyre. Ata duan që Shqipëria dhe shqiptarët të kthehen në skllevër të Berishës dhe Ramës, duke fashistizuar vendin, duke vjedhur votën e tyre për interesat e pasurimit të shfrenuar të tyre dhe kastës që përfaqësojnë duke zbatuar parimin stalinist “nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron votat”, ashtu siç kanë bërë edhe me votimet në partitë e tyre”, - tha Vasili.

Paralajmërimi

Vasili tha se Kryesia e LSI-së ka vendosur unanimisht fillimin e një reagimi mbarëpopullor shumë të ashpër dhe të pandalshëm deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës së lirë dhe të demokracisë në vend. Ai shtoi se Kryesia e LSI-së ka vendosur gjithashtu thirrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të hënën, në orën 12, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Vasili paralajmëroi si kryeministrin Berisha, ashtu edhe kreun e PS-së Edi Rama, që të mos guxojnë të prekin votën e shqiptarëve. “Ne jemi sot këtu për të paralajmëruar për herë të fundit Sali Berishën, njeriun që vodhi votat e shqiptareve në 1996-n, njeriun që vodhi paratë e tyre në 1997-n me piramidat e tij shkatërrimtare, njeriun e Gërdecit, njeriun që ka djegur Shqipërinë anë e mbanë, të mos guxojë të prekë përsëri votën e shqiptarëve se fundi i tij do të jetë shumë i keq. Ne jemi këtu për paralajmëruar për herë të fundit Edi Ramën, njeriun e pabesë, këtë dhunues të njohur, që, pasi betonizoi çdo metër katror të Tiranës, pasi plaçkiti parqet e fëmijëve dhe i ktheu ato në pallate, pasi shqeu e degjeneroi Kushtetutën, pasi asgjësoi edhe klubet sportive dhe çdo gjë të mirë për rininë e kryeqytetit, të largojë duart e pista nga vota e shqiptarëve se fundi i tij do të jetë shumë i keq dhe as arratisja nga Shqipëria nuk do t’i zgjidhte punë”, - vijoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Protestat
Kryesia e LSI-së, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, mbështeti plotësisht aksionin shumë të rëndësishëm politik të LRI-së për sensibilizimin e përfaqësuesve më të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar si dhe të gjithë veprimet e mëtejshme, që do të ndërmarrë LRI në funksion të votës së lirë. Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, tha se LRI-ja do të organizojë një revolucion studentor për të mbrojtur votat nga komploti Rama-Berisha. “Lëvizja Rinore për Integrim është në partneritet të plotë me LSI-në dhe ky partneritet do të funksionojë edhe në këtë aksion të madh mbarëkombëtar. Por LRI-ja ka për qëllim që në protestat e veta të përfshijë kryesisht të gjithë të rinjtë shqiptarë nga veriu në jug, kudo që ata studiojnë e jetojnë. Dhjetëra mijëra të rinj si fillim do të ngujohen përpara institucioneve dhe qindra mijëra do t’u bashkohen në ditët në vijim. Protestat tona do të kthehen në makth për Ramën dhe Berishën dhe për të gjithë ata që e konsiderojnë demokracinë një rrezik sepse u prish pazaret qindra milionshe. Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët tanë kryesorë dhe kushdo që u del në krah në këtë proces të shkatërrimit të demokracisë. Deri ditën që parlamenti do të miratojë një kod zgjedhor gjithëpërfshirës, rinia shqiptare as do të mësojë, as do të festojë, por vetëm do të protestojë”, - tha Pesha.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›