E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizmat ndërkombëtarë: Të miratohet Kodi Zgjedhor, pastaj ligji “Për prokurorinë”



Organizmat ndërkombëtarë në Tiranë sugjerojnë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë fillimisht Kodin e ri Zgjedhor dhe më pas ligjin “Për prokurorisë”. Përfaqësuesit e lartë të organizmave që monitorojnë procesin e reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore kanë kërkuar nga kryetari i PD-së Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, që t’i kushtojnë më shumë rëndësi miratimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor. Ndërkombëtarët kanë sugjeruar që vetëm pasi të ndodhë një gjë e tillë, Kuvendi duhet të shqyrtojë dhe të kalojë për votim ligjin “Për Prokurorinë”. Lajmi është bërë i ditur nga burime konfidenciale.
Në fakt, edhe vetë Partia Socialiste paralajmëroi disa kohë më parë se nuk do të jepte asnjë votë konsensuale për projektligjet e propozuara nga maxhoranca, në rast se kjo e fundit nuk do të sillte për miratim sa më shpejt në Kuvendin e Shqipërisë Kodin e ri Zgjedhor. Ngecja e këtyre dy ligjeve të rëndësishme, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi ka bërë që ndërkombëtarët të nxisin liderët e dy partive kryesore. Reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi kanë qenë pikat më të kritikueshme të Progres-Raportit të Komisionit Europian për Zgjerimin për qeverinë shqiptare. “Lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë një çështje kyçe, ndërsa duhen çuar deri në fund hetimet për shpërthimin e Gërdecit. Shqipëria ka bërë shumë pak përsa i përket sistemit të Drejtësisë. Reforma në drejtësi ende nuk është realizuar”, - thuhet në raportin e Komisionit Europian përsa i përket reformës në drejtësi. Kritika në raport ka edhe për vonesat në realizimin e reformës zgjedhore. Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka shtyrë për të disatën herë radhazi afatin e punimeve të tij, duke e vonuar edhe më shumë hartimin e Kodit të ri Zgjedhor.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›