E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Politika jonë e re do të sigurojë mirëqeverisje për shqiptarët”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë "Dialogut me Shqipërinë" për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, është ndalur në fshatin Kaldrun të Komunës Qendër në veri të vendit. Bashkëbisedimi i kryetarit socialist është përqendruar në rritjen e mundësive për stimulimin dhe nxitjen e punës në bujqësi e blegtori, duke bërë të mundur rritjen e fitimeve në këtë sektor. Rama është shprehur për një program krejt të ri të PS-së që do të bëjë të mundur kthimin e dinjitetit të punës në fshat. Rama ka përsëritur thirrjen e tij për bashkim të të gjithë shqiptarëve që refuzojnë të jenë të varfër e të papunë në një zë të vetëm kundër politikës së vjetër që e ka lënë vendin dhe sidomos fshatin në këtë gjendje. "Nuk është koha për t'u ndarë në dhjetëra parti, por është koha për t'u bashkuar në emër të fëmijëve tanë, përtej kufijve të partive dhe për t'u thënë politikanëve të vjetër që vazhdojnë të ushqejnë dasi, sherr, me fyerje, me shpifje, baltë dhe që nuk janë në gjendje të thonë se çfarë kanë bërë dhe se çfarë do të bëjnë për bukën e përditshme të familjeve shqiptare. Pasi, kjo politikë nuk na duhet më, sepse kësaj lloj politike ne nuk duhet t'i japim frymë. Na duhet një politikë tjetër, na duhet një politikë europiane, ku ata që përfaqësojnë popullin debatojnë për ide, për programe, për mënyrën se si populli duhet të jetojë më mirë dhe nuk debatojnë se kush është më i zoti për të sharë, akuzuar apo hedhur baltë mbi tjetrin”, - tha Rama.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›