E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Mjeku Hoxhallari gaboi në mjekimin e 17 vjecares

Nga Klodiana Lala
Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” ndaj bluzës së bardhë, dhe për pak ditë dosja penale në ngarkim të tij do të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës. 

TIRANE- Mjeku Xhevahir Hoxhallari do të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi gaboi në mjekimin e 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila gjeti vdekjen pas një operacioni në bajame. Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” ndaj bluzës së bardhë, dhe për pak ditë dosja penale në ngarkim të tij do të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës. Pas shumë hetimesh është konstatuar se Hoxhallari ka gabuar në mjekimin e pacientes, që për pasojë gjeti vdekjen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prova më e fortë që implikon mjekun Hoxhallari është raporti i specialistëve mjekoligjorë, në të cilin janë renditur të gjitha “gabimet” e kryera prej tij gjatë ndërhyrjes kirurgjikale që i bëri adoleshentes në bajame dhe trajtimit mjekësor në ditët më pas derisa ndërroi jetë. Vënia nën akuzë e Xhevahir Hoxhallarit e dërgon të paktën në dhjetë numrin e mjekëve të cilët janë përballur me drejtësinë.
Dosja
Të gjitha faktet flasin kundra kirurgut Xhevahir Hoxhallari. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur tashmë hetimet ndaj tij dhe pritet ta dërgojë për gjykim nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Raporti i mjekoligjorëve, autopsia e viktimës, kartela mjekësore e Matilda Petritit, ku janë konstatuar pasaktësi të shumta, janë disa nga provat që ndodhen në dosjen voluminoze në ngarkim të Hoxhallarit, që pritet të shqyrtohet së shpejti nga togat e zeza. Gjatë hetimeve është konstatuar se në kartelën mjekësore të Matilda Petritit nuk është shënuar si ka reaguar pacientja gjatë operacionit, me çfarë është mjekuar pas ndërhyrjes, si dhe nuk ka asnjë të dhënë për ditët gjatë të cilave vajza ka pasur hemorragji, që i ka shkaktuar edhe vdekjen. Kryerja e operacionit me metoda primitive është një tjetër fakt që e rëndon dhe më tej pozitën e Xhevahir Hoxhallarit. Për të vërtetuar akuzën ndaj tij, prokuroria do të thërrasë një numër të madh dëshmitarësh, mes të cilëve prindërit e Matilda Petritit, që e akuzuan mjekun Hoxhallari si shkaktar të vdekjes së vajzës së tyre. Gjithashtu, në listën e dëshmitarëve janë dhe emrat e mjaft bluzave të bardha si dhe ekspertëve mjekoligjorë.
Historia
Matilda Petriti gjeti vdekjen më 6 prill 2008 në QSUT, pas një operacioni në bajame të kryer nga mjeku Xhevahir Hoxhallari në klinikën e tij private në Pogradec. Për shkak të komplikacioneve të krijuara, Petriti u soll në QSUT ku mbylli sytë përjetë. Familjarët akuzuan mjekun si shkaktar të vdekjes së vajzës. Pas denoncimeve të të afërmve të viktimës, prokuroria nisi hetimet ndaj mjekut. Autopsia vërtetoi se 17-vjeçarja korçare humbi jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë të cilave mjeku kishte gabuar rëndë. Kështu pas gjashtë muajsh hetime, prokuroria ka vendosur ta dërgojë në gjykatë dosjen penale ndaj Xhevahir Hoxhallarit. Ai do të përgjigjet para togave të zeza për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›