Prendi ndryshon dëshminë, pranon se ka qëlluar, por në ajër. Gjykata shkel ligjin duke mos e burgosur
(E PERDITESUAR)- Ndrea Prendi, komandant i Gardës, ka qenë në ambientet e Prokurorisë për tu marrë në pyetje për më shumë se një orë. Siç raporton Top Channel, Prendi ka dëshmuar se ka qëlluar, por në ajër. Ndërkohë që më parë ai kishte mohuar që të kishte qëlluar.
Ndërkohë, siç raporton Balkan Insight, kodi penal dhe ai procedural janë shumë të qartë sa i përket masës që merret ndaj një personi të dyshuar për vrasje. Ai lihet në burg. Por gjykata nuk e ka marrë parasysh diçka të tillë.
Shoferi i Prendit, Margarit Kume ka deklaruar këtë të hënë se nuk ka qenë në vendngjarje në 21 janar dhe jo më të ketë qëlluar. Sipas prokurorëve, kjo deklaratë është e verifikuar dhe e vërtetë.
Gjeneral Prendi hyri në ambientet e prokurorisë me makinën e gardës, qëndroi për më shumë se një orë e gjysmë dhe doli prej zyrave të prokurorisë së Tiranës i shoqëruar nga makinat e policisë.
Gjenerali Prendi akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, në bazë të ekspertizës së predhës të kryer nga FBI në Amerikë, ku rezulton se nga 11 qitje të kryera nga kjo pistoletë në drejtim të turmës, njëra prej tyre i ka marrë jetën shtetasit Faik Myrtaj.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë ishin në prokurori edhe shoferi i gjeneralit, Margarit Kume, nën akuzë për fshehje të provave, pasi ka ndryshuar tytën e armës Bereta nën përdorim nga gjenerali me tytën e armës së tij.
Si dhe ish-shefi i IT-së në kryeministri Armando Kasaj, nën akuzë për kryerje të veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi konkretisht ai ka fshirë pamjet flimike të serverit të kryeministrisë disa orë pas demonstratës tragjike ku katër persona u vranë në bulevard.
Ai akuzohet gjithashtu edhe për shpërdorim detyre. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për tre të pandehurit me arrest shtëpie, ku për gjeneralin Prendi është vendosur po ashtu edhe ruajtja në banesë me prani të përhershme të policisë.
Gjykata pohon se ka cilësuar gjithashtu si të vlefshme ekspertizat e kryera nga FBI, si dhe procedurat që janë ndjekur për të kryer këtë ekspertizë.
Sipas burimeve nga gjykata, për të akuzuarin për vrasje, gjeneral Ndrea Prendi është dhënë kjo masë pasi prokuroria kur ka tërhequr armen tip Berreta nuk ka një firmë që këtë pistoletë e ka tërhequr i akuzuari, si edhe sepse gjatë sekuestrimit prokuroria e ka marrë në dorëzim provën me firmë të shefit të armatimit të gardës dhe jo të vetë përdoruesit.
Por prokurorët e çështjes thonë se disponojnë fletëdaljen nga garda të pistoletës, si edhe dëshminë e shefit të armatimit që tregon se armën e ka marrë Prendi. Ndërsa për dy të tjerët është dhënë masa e arrestit shtëpiak pasi vepra për të cilën akuzohet, sipas burimeve të gjykatës, nuk parashikon rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë ditës ishin në prokurori edhe ekspertë të FBI-së, të cilët në orët e paradites vizituan prokurorinë e Tiranes, nga ku doli edhe kërkesa për arrest me burg për tre të akuzuarit e prokurorisë, por që në fakt nuk u pranua nga gjykata, e cila dha masën e arrestit shtëpiak.
Edhe mediat e huaja kanë nisur ti bëjnë jehonë lajmit. Uashington Post shkruan se një pas një hetimi nën asistencën e FBI, është bërë e mundur që të jetë në arrest shtëpie një zyrtar i lartë.