VIDEO: Ja çka bërë Tom Doshi më 21 janar 2011
Sapo u njoha me deklaratën e Prokurorës së Përgjithshme se është kërkuar imuniteti im parlamentar për hetimet e 21 Janarit. Shpreh gatishmërinë time të menjëhershme të vihem në dispozicion të hetimeve, duke mbështetur parimisht këtë kërkesë. Do të votoj edhe vetë pro kësaj kërkese ditën që do vijë në Parlament. Unë kam qenë në këtë protestë si deputet i Partisë Socialiste dhe kam demonstruar i qetë dhe paqësisht. Edhe kur Policia dhe Garda filluan të godasin, rrahin dhe më pas vrasin protestuesit, unë kam kontribuar për të qetësuar protestuesit, për të ndaluar aktet e dhunshme. Çdo hap imi atë ditë është filmuar dhe çdo gjë është transparente. Prokurorja e Përgjithshme sot deklaroi se Policia e Shtetit ka deklaruar me shkrim dhe zyrtarisht se nuk mund të provojë asgjë të dhunshme të organizuar politikisht në organizimin e protestës. Prokurorja i ka gjetur vrasësit ordiner. Prokuroria duhet të gjejë sa më shpejt vrasësit me pushtet, ata që kanë urdhëruar vrasjet. Kur vret kryetari i Gardës së Republikës, askush nuk ka dyshim se urdhrin e ka dhënë Kryeministri. Kur provat e vrasjeve dhe urdhrave fshihen nga stafi i Këshillit të Ministrave, askush nuk ka dyshim se urdhri është dhënë nga Kryeministri. Sot është hedhur një hap i madh për vënien në vend të drejtësisë për krimin e 21 Janarit. Punë të mbarë Prokurorisë!
