Prokuroria: Pistoleta e Dashnor Sulës ishte lodër!
Prokuroria e Elbasanit ka përgënjeshtruar të gjithë, madje edhe vetë Dashnor Sulën. Sipas saj, arma që është përdorur në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, ka qenë një pistoletë lodër.
Në raportin e vëzhguesve të FSHF-së thuhej qartë që është qëlluar me pistoletë në dhomat e zhveshjes dhe vetëm më pas, persona të paidentifikuar, kanë çuar në vendin e ngjarjes një pistoletë lodër, për të humbur gjurmët.
Por, vështirë se ka njeri që e beson faktin se deputeti democrat, Dashnor Sula, mban me vete pistoletë lodër. Për më tepër që ky i fundit ka thënë se nuk është qëlluar fare me pistoletë, por janë hedhur fishekzjarre, që kanë krijuar idenë se është qëlluar me armë.
Pra, janë tre variante të ndryshme deri më tani: raporti i vëzhguesve të FSHF-së, që thonë se janë kërcënuar dhe është qëlluar me armë; pretendimi i Dashnor Sulës, që thotë se nuk është qëlluar me armë, por ka qenë zhurma e fishekzjarreve dhe në fund, raporti i prokurorisë, që thotë se është përodur armë, por ajo ka qenë pistoletë lodër.