Samiti i Sheraton-it dhe Samiti i Lalzit
Edi Rama dhe Ilir Meta u shfaqën bashkë solemnisht në Hotel Sheraton në një takim çlirues për marrëdhënien e tyre të vështirë tri vitet e fundit, që mori shkas nga vetëpërfshirja e Partisë Socialiste në procesin e zgjedhjes së presidentit. Nga aq pak gjëra që u thanë pas takimit, duket se gjëja më e rëndësishme ishte takimi.
Nuk pati ndonjë shpjegim për planin që kanë së bashku dy ish- partnerët e së majtës, por dhe nuk ka ndonjë kuriozitet në fakt se çfarë është biseduar. Samiti i Sheraton-it mori rëndësi për shkak të zërave që kishin ditë që qarkullonin se Edi Rama dhe Ilir Meta janë takuar fshehtas më parë në vilën e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit, që për analogji po e quajmë Samiti i Lalzit. Në atë shtëpi Ilir Meta ka mbyllur shumë probleme të tij me politikën. Aty ka thirrur Kastriot Islamin për ta lëshuar kundër opozitës, aty ka thirrur Fullanët për tu premtuar Guvernatorin dhe për ta liruar nga akuza, aty thërret njerëzit që ndajnë tenderat e skrapit apo licencat e hidrocentraleve. Aty paska thirrur, sipas shtypit, dhe Edi Ramën. Kjo i dha shumë vëmendje takimit të Sheraton-it, për të cilin ashtu siç e dimë të gjithë, Edi Rama ka një mandat publik nga kryesia e Partisë Socialiste.
Por pyetja kryesore që shtrojnë njerëzit e zhgënjyer, siç i quan Rama, është se kush është plani?
Është shumë e rëndësishme që Partia Socialiste mori iniciativën për të çelur bisedimet për presidentin konsensual. Ajo nuk ka vërtet vota të zgjedhë presidentin dhe duhet të respektojë frymën kushtetuese për të zgjedhur një president konsensual. Në këtë mes, takimet e Edi Ramës me Ilir Metën, Sali Berishën, Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin dhe këdo tjetër, janë normale dhe nuk ka pse prodhojnë kaq shumë emocione. Anormaliteti dhe emocionet janë prodhuar nga ideja naive se mund të arrihet në një aleancë fluide dhe të zgjidhet një president, jashtë vullnetit të Berishës, mes socialistëve dhe aleatëve të majtë në koalicionin e Berishës. Pra, flitet për një shumicë të re presidenciale, duke mos prekur, siç tha Ilir Meta pas takimit, shumicën qeverisëse, për të cilin ai u zotua se do ti qëndrojë besnik deri në fund. Pra, për aq sa u tha publikisht nga Meta, shumica qeverisëse është e sigurt, ndërsa premtimet për një shumicë presidenciale pa Berishën janë nën rrogoz.
Kjo është një politikë e gabuar e Partisë Socialiste, e cila zbeh qëndrimin e saj parimor për një president konsensual. Një president konsensual dhe një president pa Berishën, janë dy gjëra të ndryshme. Një president konsensual është një president që e voton edhe Rama, edhe Berisha, pra një shumicë së paku mbi 84 vota, sa e ka Kushtetuta. Kurse një shumicë presidenciale, me 71 vota pa Berishën, është një gjest që na jep një president kundër frymës kushtetuese dhe mbi të gjitha një proces, i cili në vend të na japë një president të fortë, na fuqizon një faktor negativ në politikën shqiptare, që është fenomeni LSI.
Për të shkuar tek një president konsensual duhet që opozita të ulet në një tryezë zyrtare me qeverinë dhe të shkojnë së bashku drejt konsensusit. Këto negociata duhet të zhvillohen në afatin kushtetues kur parashihen negociatat dhe duhet të jenë transparente. Bile shumë transparente. Kemi zgjedhur një president konsensual në vitin 2002, me shumë transparencë, dhe kemi dështuar në vitin 2007 me konsensusin politik, duke e arritur fitoren me pazar personal. Tanimë është më e lehtë. Ose do të bisedohet për një president konsensual, publikisht dhe me transparencë, për të dalë një president i nderuar, ose do shantazhohen palët para se të ulen duke sabotuar konsensusin paraprakisht dhe duke shkuar tek një president me vota të blera. Kjo është e shëmtuar dhe antiproduktive dhe nga ana politike.
Dhjetëra qytetarë nervozë që komentojnë takimin Rama- Meta, duket se nervozizmin e kanë jo nga takimi i Sheraton-it, por nga ideja se këta kanë bërë një plan shantazhi ndaj Berishës në një ose dy takime në Lalëz. Unë jam njeriu i parë në këtë vend që dua të shikoj Berishën jashtë zyrave të shtetit dhe mundësisht në qelitë e burgut për vrasjet dhe vjedhjet që ka bërë, por Sali Berisha ka nevojë të mundet dhe jo ti vidhet pushteti. Nëse atij i vidhet presidenti, ai nuk mundet, përkundrazi forcohet moralisht dhe opozita merr në shpinë gjithë baltën që ka prodhuar pushteti i tij i korruptuar për shkak të aleancës me Ilir Metën. Ky është një proces që në finale rrit pazarin e LSI, faktorizon në kulm Ilir Metën dhe lë opozitën me gisht në gojë dhe baltë mbi supe, një vit para zgjedhjeve.
Pra, pyetja kryesore që bëjnë qytetarët se cili është plani që kanë këta të dy, kam frikë se duhet ndryshuar në formën cili është plani që ka Ilir Meta? Më duket se Edi Rama është pa plan në këtë histori, ose me një plan të keq. Ai ka bërë një zgjedhje parimore të shkëlqyer duke kërkuar që të hapet procesi për një president konsensual, dhe po lë përshtypjen se në fakt po shkon drejt një skenari shantazhi me LSI kundër Berishës për një president PS-LSI- etj. E sigurt është se këtë betejë e fiton Sali Berisha. Votat e numëruara me gishta në Lalëz përfundojnë si votat për Ardian Vishën. Sali Berisha del i fituar nga kjo histori edhe sikur të bëjë sikur ia marrin presidentin, edhe pse kjo zor se do të ndodhë.
Edi Rama duhet ti përmbahet asaj çfarë ka thënë publikisht për një president konsensual dhe duhet të largojë çdo dyshim për pazare të nëndheshme dhe duhet të bëjë transparencë më shumë për Samitin e Lalzit se sa për Samitin e Sheraton-it. Nuk ka asgjë pse takohet dhe dhjetë herë në ditë me Ilir Metën, Sali Berishën apo këdo tjetër për të folur hapur se si të gjitha palët mund të bien dakord për një president konsensual, por jo duke bërë një gjë të ngjashme, që do të bëjë edhe Berisha, duke hyrë në garë kush ti vjedhë njëri- tjetrit deputetë. Kjo bën pis presidentin e ri të Shqipërisë, edhe sikur ai të jetë vërtet një burrë i nderuar. Larg qoftë pastaj sikur ai të jetë Ilir Meta.
