E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Po rritet numri i gjobëvënieve

Vetëm gjatë një viti janë trefishuar rastet e gjobëvënieve. Prokuroria: Kemi ulje të trafikut të njerëzve dhe armëve


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar dje apelin se gjatë vitit të kaluar është rritur numri i gjobëvënieve në Shqipëri. Ka qenë vetë drejtuesi i këtij institucioni, prokurori Olsian Çela, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve ka nënvizuar faktin se në raport me vitin 2008, gjatë 2009 është rritur numri i procedimeve për akuzat e "gjobëvënies".


"Analiza e të dhënave tregon se, në raport me vitin 2008, gjatë 2009 është rritur ndjeshëm numri i rasteve të kryerjes së veprave penale të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, sipas nenit 109/b të Kodit Penal"- tha prokuror Çela para të pranishmëve në analizën vjetore.


Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2009 janë regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 31 procedime penale për akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Gjatë vitit 2008 në këtë prokurori janë regjistruar 11 procedime penale me 17 të pandehur për kryerjen e veprës penale të "gjobëvënies".


Gjithashtu, mësohet se nga analizimi i të gjitha veprave penale të regjistruara pranë këtij institucioni në krahasim me vitin 2008, vihet re një rënie e dukshme e rasteve të trafikut të armëve dhe municioneve luftarake.


Kjo sipas drejtuesit Çela, ka ardhur si pasojë e ashpërsimit të masave të dënimit të kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe dënimi i tyre nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.


Ndërkohë, tendenca e trafikimit të lëndëve narkotike në krahasim me vitin 2008 gjatë vitit 2009 mbetet gati e pandryshuar, ndërsa vihet re një rënie gati për 1/3 e numrit të procedimeve për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.


Në analizën e djeshme, mësohet se përveç renditjes së arritjeve dhe statistikave vjetore të punës, drejtuesi i kësaj prokurorie ka nënvizuar edhe faktin e problemeve të konstatuar gjatë vitit 2009.


Sipas tij, probleme më shqetësuese mbeten ende vonesat në ekzekutimet e letër-porosive nga shtetet e ndryshme, ku vonesat e mos ekzekutimit të tyre kanë sjellë dhe mund të sjellin pasojat e mbarimit të afateve të paraburgimit për persona të ndryshëm.


Pas përmbledhjes së punës një vjeçare nga drejtuesi i prokurorisë, prokuror Çela, të pranishmëve në sallën e mbledhjeve i foli kryeprokurorja Ina Rama, e cila kërkoi përqendrimin e hetimit në pasuritë e personave të akuzuar për trafiqe. "


Të fokusoheni në punën për hetimin e pasurisë së personave në zbatim të ligjit të ri "Antimafia""-nënvizoi Rama, duke kërkuar rritjen e efikasitetit të metodave speciale gjatë hetimit.


Gjithashtu, sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se gjatë viti 2009 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë hetuar 220 procedime penale, nga të cilat 104 të mbartura nga vitet e mëparshme dhe 119 të regjistruara gjatë vitit 2009. Ku nga këto, 139 procedime penale kanë marrë zgjidhje përfundimtar ndërsa janë mbartur për vitin që po vazhdojmë 81 procedime penale.


Nga të gjitha dosjet e hetuara për vitin 2009, mësohet se janë marrë nën hetim 268 persona, ku 215 prej tyre të akuzuar kanë shkuar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet. Gjithashtu, janë ekzekutuar 48 vendime penale për 134 të dënuar.


Ndër grupet e veprave penale të hetuar:

99 procedime penale apo 45 % të çështjeve janë dërguar për "trafikim të lëndëve narkotike"
31 procedime penale apo 14 % të çështjeve janë dërguar për "shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë"
24 procedime penale apo 11 % të çështjeve janë dërguar për "trafikim të qenieve njerëzore"
21 procedime penale apo 9.5 % të çështjeve janë dërguar për "veprat të ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale"
15 procedime penale apo 7 % të çështjeve janë dërguar për "vrasjet e kryera ndaj personave me cilësi të veçanta"
12 procedime penale apo 5.5 % të çështjeve janë dërguar për "rrëmbim personi"
Janë gjykuar me gjykim të zakonshëm 36 çështje me 93 të pandehur
Janë gjykuar me gjykim të shkurtuar 45 çështje me 122 të pandehur


***********

Ministria e Mbrojtjes: Po dërgojmë shtimje në Librazhd


TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka pohuar dje se nuk është duke kryer transport skrapi në favor të Delijorgjit por thjesht po e dërgon atë në një magazinë në Murrash të Librazhdit. Bëhet fjalë për mbetjet e municioneve/ shtimje me gëzhoja tunxhi të kalibrave nga 20 mm deri në 152 mm.


Të gjitha mbetjet që transportohen nga ushtria shqiptare merren në ish-repartin e tankeve në Gërdec dhe janë në pronësi të Mihal Delijorgjit. Kjo sipas kontratës së shitjes së këtyre municioneve kompanisë "Albademil" nga ndërmarrja MEICO që ndodhet pranë Ministrisë së Mbrojtjes.


Gjeneral Gjunkshi pranon se për këto transporte të këtyre mbetjeve municion/shitje përpilohet një raport ku njoftohet çdo muaj Ministria e Mbrojtjes dhe Prokuroria e Përgjithshme. Arsyeja pse njoftohet prokuroria, për këto veprime, sipas burimeve nga prokuroria është se "të gjitha mbetjet e municioneve/shtimje që ndodhen në Gërdec janë bllokuar me vendim të Gjykatës si prona të kompanisë Albademil.


Këto municione vazhdojnë të jenë pronë e Mihal Delijorgjit përderisa nuk ka një vendim tjetër, përveç atij të sekuestrimit paraprak për llogari të procesit penale dhe atyre civile që po vazhdojnë në ngarkim të kompanisë Albademil dhe të pandehurit Mihal Delijorgji"- thuhet nga burimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›