Rokadë në policinë e Tiranës e Durrësit, lëvizin 6 drejtues

Artan Osmani largohet nga drejtimi i Policisë Rrugore të kryeqytetit dhe në vend të tij vjen Fatos Kokalari. Krenar Ahmeti merr detyrën e shefit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Tiranës
TIRANË- Rokadë në policinë e Tiranës dhe të Durrësit, ndryshohen gjashtë drejtues. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka hedhur dje firmën dhe menjëherë janë kryer lëvizjet e drejtuesve të policisë. Sipas burimeve të policisë, shkaku kryesor i këtyre lëvizjeve janë aksidentet e shumtë.
Policia Rrugore në Tiranë e drejtuar prej një viti nga Artan Osmani do të drejtohet prej ditës së sotme nga Fatos Kokalari, ndërsa ish- shefi i rrugores në kryeqytet është caktuar shef i Sektorit të Policisë Rrugore pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Në lëvizjet e oficerëve të lartë të policisë bën pjesë edhe Krenar Ahmeti, i cili është larguar nga drejtimi i Sektorit të Forcës se Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke u emëruar shef i Sektorit të Rendit e Sigurisë Publike po në këtë drejtori. Në vend të Ahmetit emërohet Urim Rexhepi, ku para se të vinte në këtë detyrë ka qenë shef i Komisariatit të Policisë Rinas në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit.
Kryekomisar Shkelqim Doda, ka lënë Tiranën duke u larguar nga detyra e shefit të Sektorit të Policisë Rrugore, në Policinë e kryeqytetit, për t'u emëruar shef Sektori pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës.
Kryekomisar Ervin Hoxha, lë drejtimin e Sektorit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Tiranës dhe caktohet shef Sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Durrës.
Gjashtë ndryshimet që kanë prekur Policinë e Tiranës dhe të Durrësit u bënë publike dje nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku thuhet se emërimi në detyra të caktuar i oficerëve të lartë është bërë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Një nga sektorët më problematikë që është prekur nga ndryshimet është edhe Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe viktimave të shkaktuara prej tyre në territorin e qarkut të Tiranës.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së kryeqytetit, aksidentet rrugore gjatë vitit 2009 shënuan 76 viktima, që kanë humbur jetën në 587 aksidente të ndodhura në qarkun e Tiranës. Këtij numri i janë shtuar edhe 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 të tjerë të plagosur lehtë.
Drejtuesit e Policisë së Tiranës e lidhin numrin e lartë të aksidenteve dhe viktimave të shkaktuara prej tyre me dy shkaqe kryesore që janë shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe përdorimi i alkoolit nga drejtuesit e automjeteve që janë bërë shkaktarë të aksidenteve.
Në fund të muajt janar, kryeministri Berisha lëshoi kritika të ashpra për strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, duke e cilësuar numrin e lartë të aksidenteve si një përgjegjësi të policisë së shtetit.
Kryeministri i lëshoi kritikat në analizën e Policisë së Shtetit, duke u shprehur se ka një qëndrim indiferent ndaj zbatimit të ligjit dhe numri i aksidenteve rrugore mund të pësojë ulje nëse ka një ndërhyrje më efikase të strukturave përgjegjëse.
Tabela
Komisar Artan Osmani, caktohet shef Sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Tiranë
Kryekomisar Fatos Kokalari, caktohet shef i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë
Kryekomisar Shkelqim Doda, caktohet shef Sektori pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës
Kryekomisar Ervin Hoxha, caktohet shef Sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Durrësit
Kryekomisar Krenar Ahmeti, caktohet shef i Sektorit të Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë Tiranë
Kryekomisar Urim Rexhepi, caktohet shef i Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë Tiranë
Vdes e moshuara, hidhet nga kati i gjashtë i pallatit
TIRANË- Një grua e moshuar është gjetur dje e vdekur para një pallati gjashtë katesh në zonën e "Shallvareve" në Tiranë.
Nga të dhënat e policisë së kryeqytetit mësohet se e moshuara është rreth moshës 70 vjeç dhe dyshohet se është vetëhedhur nga kati i gjashtë i pallatit, duke mbetur e vdekur në vend.
Dyshimet e policisë për një vetëvrasje, kanë ardhur pasi është konstatuar se viktima kishte tentuar të priste damarët para se të gjendej e vdekur. Viktima nuk është identifikuar nga oficerët e Policisë, pasi nuk ka pasur asnjë dokument identifikimi dhe mësohet se nuk jeton në pallatin, para të cilit është gjetur e vdekur.
Në pyetje janë marrë disa nga banorët e pallatit ku e moshuara dyshohet se është hedhur nga kati i gjashtë i tij, ndërkohë trupi i viktimës është dërguar në morg ku do të kryhet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes së të moshuarës.
Aksidentet, një i vdekur dhe dy të plagos
TIRANË- Një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë janë pasojat e dy aksidenteve të ndodhura në Qarkun e Tiranës.
Aksidenti i parë që ishte me pasojë vdekjen, ndodhi në Paskuqan gjatë fundjavës, ku Sulejman Sala, 78 vjeç, u përplas për vdekje nga një autobus tip "TAM", me targa TR 3815 R drejtuar nga Agron Rizahi, 38 vjeç, banues në Bathore.
Sipas të dhënave të policisë i moshuari po kalonte rrugën nga pas automjetit në momentet kur është përplasur, ndërkohë shoferi i autobusit është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Një tjetër aksident automobilistik në aksin Vorë- Fushë- Krujë ka shkaktuar dje plagosjen në gjendje të rëndë të dy personave.
Makina e aksidentuar tip "Benz" me targa TR 1242 H, ngjyrë jeshile, ka tentuar të parakalojë disa automjete që gjendeshin para saj, por që është penguar nga një kamion. Për pasojë, drejtuesi i Benzit ka humbur kontrollin dhe makina ka përfunduar në kanal, duke plagosur rëndë drejtuesin e saj dhe një nga personat që ishte në makinën e aksidentuar.
Të dëmtuarit janë dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën mjekësore.