E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja tek ambasada Jugosllave, 31 vjet burg çiftit të autorëve

VENDIMI

TIRANË- Gjykata e Tiranës, pas tetë seancave gjyqësore dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar vendosi të dënojë me 31 vjet burg dy të pandehurit Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj, duke i deklaruar fajtorë për grabitjen me pasojë vdekjen të shtetasit Gëzim Shullani. Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Petrit Lazaj ka kryer veprën penale të “grabitjes me dhunë me pasojë vdekjen e shtetasit Shullani dhe “shfrytëzimin për prostitucion” të shtetases Albana Zenelaj dhe për kryerjen e këtyre veprave penale dënohet me burgim të përjetshëm. Falë aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë proces, të pandehurit i ulet 13 e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 25 vjet burg. Ndërkaq, për bashkëpunëtoren e tij Albana Zenelaj, gjykata vendosi dënimin e saj me 9 vjet burg, por falë gjykimit të shkurtuar ajo do të vuajë 6 vjet në qeli. Një seancë më parë, gjatë dhënies së konkluzioneve përfundimtare prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin Petrit Lazaj dhe 9 vjet burg për të pandehurën Albana Zenelaj, kërkesë kjo që nuk u miratua nga gjykata. Dy të pandehurit Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj u arrestuan disa muaj më parë si autorë të vrasjes me sende të forta, për qëllime grabitjeje të shtetasit Gëzim Shullani. Ky krim, sipas prokurorisë, ndodhi mëngjesin e tre marsit të këtij viti, në godinën e ish-ambasadës Jugosllave që ndodhet e braktisur në rrugën e “Durrësit” në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›