E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet 1 anije me cigare kontrabandë, destinacioni: Shqipëria

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 11-02-2011 10:37

Tiranë- Shqipëria rifutet sërish në hartën e vendeve të kontrabandës së cigareve, pas një ngarkese të bllokuar në ujërat greke. Policia e vendit fqinj ka bllokuar një anije të mbushur me cigare kontrabandë, që dyshohet se kishin si destinacion Shqipërinë. Sipas mediave greke, një anije me flamur bolivian, e nisur nga Turqia dhe me destinacion përfundimtar Shqipërinë, është bllokuar ditën e djeshme në ujërat territoriale të Greqisë, pasi në bazë të informacioneve të palës greke, në të ishin fshehur cigare kontrabandë. Mediat e shtetit fqinj bëjnë të ditur se roja bregdetare greke ka ndërmarrë një operacion në afërsi të ishullit Stafronisi-Hidra, pas informacioneve të siguruara, se anija ishte e mbushur me cigare kontrabandë. Gjatë këtij operacioni është ndaluar anija “TOMCO”, me flamur bolivian dhe me gjatësi prej 45 metrash, ku gjatë kontrollit të ushtruar në dokun e kësaj anijeje është gjetur një ngarkesë prej 4300 kolish cigare kontrabandë. Policia greke bëri të ditur se 6 marinarët e kësaj anijeje ishin me kombësi ukrainase dhe se gjatë marrjes në pyetje të kapitenit, është mësuar se anija kishte lundruar nga Turqia për të shkuar në Shqipëri. Mediat greke shtojnë se anija në fjalë fillimisht është bllokuar në portin e Hidras dhe më pas është transportuar në portin e Nafplionit, ku dhe janë arrestuar të gjashtë marinarët ukrainas. Ndërkohë, Departamenti i Narkotikëve e Krimit Ekonomik, pasi ka kryer të gjitha veprimet, ka arritur në përfundimin se të 4300 kolitë e cigareve, të markave të ndryshme, ishin kontrabandë pasi nuk kishin asnjë dokument shoqërues. Pritet që gjatë ditëve në vijim të zbardhen të gjitha detajet e kësaj ngjarje, ku identifikimi i pritësve të mallit në Shqipëri pritet të paraqesë interes për palën greke që po heton këtë çështje. Mësohet se policia greke ka marrë në pyetje marinarët që ndodheshin në anijen “TOMCO”, për të mësuar vendin nga ishte nisur anija dhe destinacionin përfundimtar të saj. Pritet që për këtë çështje të ketë komunikim edhe me policinë shqiptare, për të zbuluar porositësin e 4300 kolive të cigareve kontrabandë, por edhe për të zbuluar rrjetin e kësaj linje trafiku. Shqipëria ka qenë një ndër vendet kryesore të kontrabandës së cigareve në Ballkan, gjatë viteve të tranzicionit, por ky fenomen dukej se kishte pësuar rënie gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›