Prokuroria: Xhindi? Të gjitha pistat po hetohen
Aktiviteti politik i Fatmir Xhindit, deputetit të vrarë në një pritë para shtëpisë së tij në Roskovec, është një pistë hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Takimet paraelektorale të të ndjerit në zonë, si dhe "konfliktet" politike me banorë të zonës, janë verifikuar nga Krimet e Rënda, ndërsa grupi hetimor është përqendruar kryesisht te dëshmitë zyrtare dhe publike të familjarëve të viktimës. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se asnjë pistë nuk është përjashtuar nga hetimi i çështjes, aq më tepër "vrasja për shkak të cilësive të veçanta". Kjo akuzë është kompetencë e Krimeve të Rënda dhe si e tillë është pista kryesore ku do të përqendrohen hetimet e mëvonshme në identifikimin e autorëve të mundshëm. Pas shtatë muajsh nga ngjarja e rëndë, hetuesit kanë administruar dëshmi dhe prova materiale, të cilat bashkërisht kanë arritur në nivelin e 10 fashikujve, gati 10 mijë faqe A4. Si provë materiale janë rreth 20 fishekë, si dhe disa filmime të kryera në zonë. Atentati ndodhi në datën 2 maj, rreth orës 21:15, pranë shtëpisë së deputetit, në Roskovec të Fierit.