E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Referendum për çdo gjë që ka të bëjë me Brukselin"

Shefi i konservatorëve britanikë dhe Kryeministri i ardhshëm i mundshëm i Britanisë së Madhe, ka deklaruar dje se në të ardhmen nuk do të ndodhë më kurrë të transferohen pushtete nga
Britania në Bruksel pa një referendum mbarëpopullor. Ai i është referuar rastit të fundit të firmosjes së Traktatit të Lisbonës, që u lëshua vetëm me një firmë të Kryeministrit. Sipas tij, traktatet e së ardhmes duhet që të vihen në votë publike. Këto deklarata i ka thënë, ndërsa ka bërë një përmbledhje të politikave të veta europiane, pasi ka mohuar mundësinë e organizimit të një referendumi për Traktatin e Lisbonës. Dy ditë më parë, firmën për këtë traktat e dha edhe Presidenti i Çekisë, i fundit që kishte mbetur nga presidentët e vendeve të tjera të BE-së pa firmosur në dokumentin që nuk mund të hyjë në fuqi pa mirëkuptimin dhe firmën e të gjitha vendeve anëtare të organizmit europian. Kameron ka paraqitur dje grupin e ri të politikave në lindje me Europën dhe organet e saj qeverisëse që do të aplikojë partia e tij konservatore me të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve që do të organizohen vitin e ardhshëm. Ai ka mbajtur gjatë gjithë kohës një qëndrim euroskeptik dhe është akuzuar shpesh për krijimin e një "perdeje të hekurt" mes Europës dhe Britanisë së Madhe. Ai premtoi se me t‘u bërë Kryeministër do të organizonte një referendum në lidhje me ratifikimin e Marrëveshjes së Lisbonës. Por duket se pas firmës së dy ditëve më parë të Presidentit çek, që praktikisht formalisht e kanë shndërruar traktatin në ligj, ai ka deklaruar se nuk ka se përse të këmbëngulë më. Megjithatë, ai do të ngulmojë që në rregulloren e Europës të përfshihet një nen i veçantë, në bazë të së cilit do të bëhet e qartë se Britania e Madhe, pas kësaj, nuk do të bëjë asnjë ndryshim në lidhje me transferimin e pushteteve nga Londra në Bruksel, pa një referendum mbarëpopullor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›