Prokuroria: Zeneli do të merret i pandehur
TIRANE – Prokuroria do të marrë të pandehur me akuzën “shpërdorim detyre”, me pasojë dëm financiar në arkën e shtetit, ish-kreun e zyrës qendrore të Hipotekës. Brenda pak ditësh pritet që ish-drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të thirret në prokurori, për t’u ballafaquar me provat e mbledhura kundër tij. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, grupi i hetimit në një analizë të provave të grumbulluara deri tani ka arritur në përfundimin se ish-kreu i Hipotekës i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Për këtë shkak oficerët e policisë gjyqësore që po merren me hetimin e skandalit pritet që brenda pak ditësh të thërrasin në Prokurori ish-drejtorin e Hipotekës Gazmend Zeneli, për t’i njoftuar ngritjen e akuzës “shpërdorim detyre”. Marrja e tij si i pandehur në prokurori, sipas akuzës, do të bëhet pas një faze paraprake hetimesh prej më se 4 muajsh, gjatë të cilës është verifikuar dokumentacioni i shitjes së truallit 6 mijë metra katrorë, si dhe janë marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm prej rreth 20 dëshmitarësh. Prokuroria ka kaluar në skaner të gjithë zyrtarët që kanë pasur të bëjnë me procedurën dhe ka arritur në përfundimin se shitja ka qenë e rregullt, me përjashtim të çmimit i cili është përcaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës së bashku me një grup pune të ngritur prej tij. Përfundimisht, në aktin e caktimit të çmimit për metër katror në truallin shtetëror, që është shitur nën vlerë, ka hedhur firmën ish-drejtori i zyrës qendrore të Hipotekës, Gazmend Zeneli.