E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, në hetim ish-kreu i Hipotekës



Trazhgim Sokolaj

Ish-drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka), Gazmend Zeneli po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për një skandal me shitjen e 6 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Tiranë. Dosja penale është duke u hetuar nga Zyra Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka kryer një sërë veprimesh hetimore, të cilat faktojnë implikimin e ish-drejtorit të Hipotekës, Gazmend Zeneli, në shkaktimin e një dëmi të konsiderueshëm financiar në arkën e shtetit. Sipas burimeve nga prokuroria, hetimi ka filluar pas një kallëzimi të bërë nga vetë ministria, që kishte në pronësi asetin shtetëror dhe më pas vendosi ta shesë atë në vitin 2005. Procedura, e cila është iniciuar nga ministria që kishte në pronësi truallin te “Qyteti i Nxënësve” në Tiranë, përfshiu edhe Hipotekën, pasi ministria kërkoi prej saj hartimin e një studimi, me qëllim përcaktimin e çmimit të shitjes së tokës për metër katror. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, vlerësimi i tokës nga Hipoteka ka qenë abuziv dhe i paligjshëm, pasi çmimi i përcaktuar për truallin ka qenë disa herë më i vogël sesa vlera reale e tokës në zonën e “Qytetit të Nxënësve” në Tiranë.
Hetimi i skandalit
çështja penale, e cila është regjistruar në Zyrën Task Force në Prokurorinë e Tiranës, ka nisur pas një kallëzimi i cili pretendon se procedura e shitjes së truallit ka qenë me dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit. Padia penale është bërë nga vetë ministria, që ka bërë shitjen në vitin 2005, pas verifikimit të listës së çmimeve të tokës në zonën ku ndodhej trualli shtetëror i shitur. Sipas këtyre verifikimeve, ka rezultuar se çmimi i vendosur për metër katror në truallin shtetëror prej 6 mijë metrash katrorë, ka qenë më i ulët sesa toka të tjera të shitura pranë kësaj sipërfaqeje. Sipas padisë, e cila është dorëzuar në Prokurori nga Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik të policisë ka rezultuar se shteti ka pasur në pronësi truallin me vlerë më të madhe, i cili është shitur me çmim nën vlerën e tregut, duke shkaktuar kështu dëm ekonomik. Nga dokumentet e shqyrtuara gjatë hetimit, Prokuroria tha se ministria që shiti pronën, i kishte kërkuar Zyrës së Hipotekës në kohën kur drejtohej nga Gazmend Zeneli, një vlerësim për çmimin me të cilin do të shitej trualli. Procedura është realizuar me çmimet e vendosura nga ish-kryeregjistruesi Gazmend Zeneli, i cili pritet të merret i pandehur nga prokuroria për akuzën “shpërdorim detyre” në procedurën e shitjes së truallit shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›