E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria akuzon 7 të pandehur për shembjen e pallatit në Gjirokastër

Prokuroria e Gjirokastrës përfundoi hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë që  ndodhi  nëntorin e vitit të kaluar në Lagjen "11 Janari" në këtë qytet, ku si rezultat i shembjes së një pallati humbën jetën tre persona, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur. Lajmi është bërë i ditur sot nga burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat pohuan se çështja penale është dërguar për shqyrtim gjyqësor me 7  persona të pandehur, Sotiraq Janora, Gjergj Mece, Afërdita Papamihali, Alfred Mamani, Admir Shehaj, Petrit Maksuti, Leonard Mustafaraj, të akuzuar si përgjegjës për ngjarjen. Të akuzuarit, disa prej tyre ish- funksionarë shtetërorë, akuzohen për vepra penale si  “shkatërrim të  pronës me dashje”, “shpërdorim të detyrës”, por edhe “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se janë mbledhur provat e  nevojshme për të provuar fajësinë e të pandehurve për veprat penale për të cilat akuzohen. Ndërkohë, grupi hetimor konkludoi në pushimin e hetimeve ndaj shtetasve Luan Bufi,  inxhinier kontruktor, Njazi Çobani, arkitekt,Thanas Llahana, inxhinier gjeolog, Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrese ”Artindërtimi” sh.p.k.  Ngjarja e rëndë ndodhi në 9 nëntor të 2008 në lagjen "11 Janari" në Gjirokastër, kur një pallat 5 katësh u shemb si rezultat i  punimeve  që po realizoheshin pranë tij për ndërtimin e një tjetër pallati. Si pasojë humbën jetën tre banorë, ndërsa u plagosën disa të tjerë, të cilët ndodheshin në banesat e tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›