Prokuroria, analizë 1 vjeçare të Prokurorive të Apelit në rrethe

Në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, në praninë e Prokurorit të Përgjithshem, Ina Rama, u zhvillua gjatë ditës së sotme analiza e punës njëvjeçare janar 2011- dhjetor 2011, të Prokurorive të Apelit të Rretheve Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe të Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda.
Gjatë analizës së zhvilluar, drejtuesit e Prokurorive të Apelit raportuan për punën e kryer nga prokurorët e apelit duke evidentuar njëkohësisht dhe problemet të cilat hasen në kryerjen e detyrës. Në bazë të tabelave të paraqitura vërehet se Prokuroritë e Apelit kanë zhvilluar një volum të konsiderueshëm pune duke shënuar arritje në rezultatet e tyre krahasuar dhe me shifrat e një viti më parë.
Gjatë vitit 2011 janë gjykuar nga Gjykatat e Apeleve Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, rreth 5260 çështje. Këto çështje janë gjykuar mbi bazën e ankimimit të palëve, të Prokurorëve të Shkallës së Parë apo të të pandehurve.
Nga këto gjykime vërehet se Gjykata ka përkrakur rreth 25% të çështjeve të gjykuara në Apel mbi bazën e ankimeve të prokurorëve. Ndërsa ka lënë në fuqi rreth 78% të vendimeve gjyqësore që ka patur ankim nga të pandehurit, duke përkrahur qëndrimin e prokurorit.
Gjatë analizës së punës së prokurorive të Apelit u ngrit si problem shqetësues për një sërë çështjesh, prishja dhe kthimi për rigjykim në shkallë të Parë për shkelje proceduriale të kryera nga gjykatat e shkallëve të para, sidomos në rastet e gjykimit të shkurtuar të kryer në Gjykatat e shkallës së parë.
Një problem tjetër i ngritur ishte shqetësimi për lirimet nga gjykata para kohe të të pandehurve duke i vënë të pandehurit në provë. Gjithashtu u vu në dukje se numri i rekurseve të bëra nga Prokuroritë e Apeleve të pranuara nga Gjykata e Lartë ka qenë i vogël.
Ndër problematikat që u analizuan gjatë analizës së punës, ishte evidentimi se megjithë numrin e madh të çështjeve për lëndët narkotike, shumica e të pandehurve rezultojnë përdorues dhe me doza të vogla. Mbi këtë bazë, u propozua si emergjente ndryshimi i Kodit Penal përsa i përket dispozitave që lidhen me mbajtjen, shpërndarjen dhe tregëtimin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të analizës, Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama , pasi përgëzoi prokurorët e Apelit për rezultatet e arrituar gjatë viti 2011, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me prokuroritë e rretheve gjyqësore çfarë do të sillte rezultate më të mira profesionale. Gjithashtu kryerpokurorja, Znj. Ina Rama, vuri theksin në rritjen e cilësisë së rekurseve që prokuroritë e Apelit bëjnë për në Gjykatën e Lartë. Për rritjen e cilësisë së punës dhe të përgjegjësisë së prokurorëve të të gjitha shkallëve, u vendos që të ringrihet grupi i punës për të bërë ndryshimet përkatëse në Udhëzimin Nr.1, dt.14.11.2008, për Ushtrimin me Eficencë të së Drejtës së Ankimit.