E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, bllof me arrestimin e dy doganierëve



“Bllof” i Prokurorisë së Durrësit arrestimi i dy doganierëve portualë. Pengimi i një automjeti me targa të huaja ka qenë shkaku i debateve institucionale midis doganës nga njëra anë dhe organit të Prokurorisë nga ana tjetër. Dy doganierë kanë përfunduar në pranga tri ditë më parë, pasi nuk kanë lejuar një autoveturë që të dalë nga sheshi i trageteve, për shkak se siç pretendojnë ata, pronari i saj rezultonte të kishte detyrime ndaj doganës. Gjykata e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e doganierëve dhe i ka lënë ata të lirë. “Në harkun kohor të 3 muajve, ai ka futur në Shqipëri përmes portit të Durrësit 6 autovetura, të cilat ende nuk janë zhdoganuar dhe nuk kanë destinacion se ku ndodhen”, - janë shprehur për “standard” burime doganore. Tri ditë më parë, pas një urdhër-arresti të dalë nga Prokuroria, u bë arrestimi i doganierëve Ilir Mujani, 47 vjeç, lindur në Durrës e banues në Tiranë dhe Dashamir Leka, po 47 vjeç, lindur në Elbasan e banues në Tiranë. Prokuroria u shpreh se “arrestimi i tyre u krye për arsye se në datën 12 të këtij muaji, ata duke qenë në detyrë nuk kanë lejuar që të dalë nga territori doganor një automjet tip “Audi”, me targa BV399NT, i cili ishte në pronësi të R.K., e që ishte sjellë nga jashtë vendit me anë të tragetit”. Por të dy doganierët të arrestuar tri ditë më parë janë të lënë të lirë nga Gjykata e Faktit. Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, gjyqtari i gatshëm ka shpallur vendimin sipas të cilit, “masa e arrestit ndaj doganierëve ishte në kundërshtim me ligjin dhe ata u lanë të lirë”. Dogana e Durrësit deklaroi për “standard” se disponon dokumente të cilat do t’i dërgojë në Gjykatën e Durrësit, ku vërtetohet se shtetasi R.K., gjatë 3 muajve të fundit ka sjellë nga jashtë vendit 6 autovetura, të cilat i ka kaluar pa doganë, por me anë të vërtetimeve të hyrjes”. Arben Ibro, drejtor i Doganës së Durrësit, tha se “personi i cili ka sjellë automjetin në fjalë, dyshohet të jetë trafikant makinash, por ne do ta themi fjalën tonë, pasi të jetë shprehur gjykata për këtë rast”. Ai deklaroi se “kemi dokumente në të cilat vërtetohet se ai ka futur 6 makina në Shqipëri dhe ende nuk ka paguar taksën doganore për asnjërën prej tyre”. Drejtori u shpreh se “jam i bindur se të dy doganierët kanë zbatuar Kodin Doganor në këtë rast”. Ndërkohë automjeti vazhdon të qëndrojë i bllokuar në sheshin e trageteve, në pritje të vendimit që do të marrë gjykata.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›