E Diel, 1 Nëntor 2026

Britani, në gjyq tre shqiptarë, kishin krijuar punishte për mbjelljen e drogës

Tre shqiptarë rrezikojnë dënimin në Britani, pasi akuzohen nga gjykata se kanë ngritur punishte për mbjelljen e kanabisit me vlerë qindra-mijëra paund.

Ndaj Aurel Kollabanit dhe vëllait të tij, Elis, si dhe Mustafa Dukës, së bashku me një femër vietnameze, Thi Hai Nguyen, është hapur një proces gjyqësor. Sipas organit të akuzës, ata zotëronin disa prona në vend, të cilat i kishin shndërruar në punishte për mbjelljen e lëndëve narkotike.

Në deklaratat e bëra, Aurel Kollabani u tha oficerëve të policisë që ai e shiti pjesën e tij të klubit “Rouge” në “Old Town”, që ai e drejtonte me një tjetër biznesmen për vlerën e 25.000 paundëve. Tre shqiptarët, si dhe vietnamezja janë akuzuar për mbjelljen e kanabisit. Gjykata e Bristolit ka thënë gjithashtu se policët e kanë vlerësuar drogën me “çmimin e rrugës”, një vlerë kjo që arrinte në shifrat më shumë se 329.000 paund në dy punishtet në Swindon, një në Oxford dhe një në Cardiff.

Prokurori James Patrick në seancën gjyqësore deklaroi se “goditja më e madhe” erdhi pas një kontrolli të kryer në një shtëpi në kopshtet “Kipling” në Stratonin e Sipërm në muajin shkurt, kur 389 bimë u gjetën me një vlerë prej 95.000 paundësh. Ai tha se nuk ka diskutim që pronat në Torun Way dhe Kipling Gardens, në Swindon dhe shtëpitë në Cardiff and Oxford ishin punishte për kanabisin.

Sipas deklaratave të bëra nga të akuzuarit, ata merreshin me punë të tjera për të siguruar jetesën.

Aurel Kollabani deklaroi se punonte në një kompani larjesh së makinave në Bristol. “Unë kam zotëruar klubin Rouge në Old Town”, - tha ai, duke shtuar se “unë e shita Rouge që të blija biznesin e ri rreth krishtlindjeve të vitit 2006. unë mora 25.000 paund për të.”

Para arrestimit, detektivët qëndruan për shumë ditë afër shtëpive të akuzuarve, të Elis dhe Aurel Kollabanit, ku panë se aty kishte qarkullim të makinave dhe kamionëve, nga të cilët zbrisnin njerëz dhe ngarkoheshin çanta dhe kuti në to. Gjatë deklarimeve, Aurel Kollabani pretendoi se ai nuk e dinte adresën në Torun Way, por sipas deklaratave të oficerëve, është parë një mashkull me një pasagjer në makinën e tij në zonë me çanta të mëdha.

Elis Kollabanit iu gjet në shtëpi një shumë prej 4.000 paundësh. Sipas deklarimeve të tij në polici, ai i mbante ato për të blerë një makinë. Sipas policisë, ai nuk kishte arritur që të fitonte aq shumë. Duka u arrestua në apartamentin e Elis Kollabanit.

Ai ishte kapur në prill nga policia si një emigrant ilegal. Pasi iu morën të dhënat, shenjat e gishtave dhe ADN, u pa se ai kërkohej nga policia. Fotografia e tij ishte në një pasaportë italiane, që kishte emrin Maximus Napoli dhe përdorej për të marrë me qira pronat në Torun Way dhe Oxford. Kur ai është pyetur nga policia në lidhje me identitetin e tij, ai i tha policisë “Unë nuk kam emër. Nuk jam unë në pasaportë. Unë jam dikush që vij nga një planet tjetër”. Sipas agjentëve britanikë, gjatë kontrollit u gjetën rreth 30.000 paund në dy çanta në një dhomë të kyçur dhe një adresë në rrugën “White Eagle”, në të cilën qëndronte vietnamezja Nguyen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›