Takimi Alibeaj-Grasso: Bashkëpunim në ekzekutimin e vendimeve penale
Ministri i Drejtësisë priti dje në një takim zyrtar Prokurorin Kombëtar të Antimafias në Itali, z. Pietro Grasso. Gjatë takimit, palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të shpejtë dhe efikas në ekzekutimin e vendimeve penale. Takimi u përqendrua në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë deklaroi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë, për ekzekutimin e vendeve penale është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimin të organizuar. Ministri deklaroi se ekzekutimi i vendimeve penale është një problematikë që e ka rritur ndjeshmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. “Një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit”, - u shpreh ministri. Nga ana tij, Prokurori Kombëtar i Antimafias, z. Pietro Grasso, u deklarua optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. “Kjo ishte një nga arsyet e vizitës sime në Shqipëri. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër. Është shumë e rëndësishme që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër, por të zbatohen. Kjo, sepse personat e dënuar rikthehen në vendet e tyre, duke vazhduar me aktivitetet e tyre kriminale”, - u shpreh Prokurori i Antimafias italiane, z. Grasso. Të dy palët shprehën vullnetin reciprok që bashkëpunimi dypalësh të funksionojë me shpejtësinë e duhur për të goditur në kohë dhe me efektivitet.