Takimi; Kryetarja Becaj i premton bashkëpunim Avokatit të Popullit të Kosovës
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Becaj, priti dje në një takim ushtruesin e detyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës, z. Hilmi Jashari, i cili shoqërohej nga homologu i tij shqiptar, Ermir Dobjani dhe komisionerë nga të dyja institucionet. Takimi është zhvilluar në kuadër të një vizite miqësore që është duke zhvilluar në vendin tonë Avokati i Popullit të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar në lidhje me rolin e rëndësishëm të institucionit të Avokatit të Popullit në të dyja vendet fqinje, duke e renditur atë ndër institucionet, të cilat kanë pasur dhe kanë një ndikim të thellë në fitimin e besimit tek publiku. Sipas Jasharit, në shtetin e ri të Kosovës, Avokati i Popullit është institucioni publik më i besueshëm tek qytetarët e vendit të tij, me gjithë problemet tranzitore të viteve të fundit, të cilat i kanë vënë institucionet e Kosovës përballë një sërë vështirësish. Në këtë kuadër, kryetarja e Gjykatës së Lartë i shprehu besimin e saj miqve nga Kosova, se ata do të dinë t'i zgjidhin problemet e tyre me maturi dhe sukses, duke pasur gjithmonë mbështetjen e vendeve fqinje dhe shumë të afërta si Shqipëria. Ndërsa, për sa i përket rolit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, sipas znj. Becaj, ky institucion ka marrë pozicionin që i takon, duke fituar kështu besimin, autoritetin dhe prestigjin e kërkuar tek publiku. Z. Jashari bëri një panoramë të detajuar të situatës aktuale të drejtësisë dhe gjyqësorit në Kosovë, duke vendosur në plan të parë bashkëpunimin e institucionit që ai drejton me pushtetin e gjyqësorit. Sipas z. Jashari, Avokati i Popullit ka ndikim të vazhdueshëm dhe të rëndësishëm në administrimin e pushtetit gjyqësor, duke i servirur qytetarit informacione në lidhje me çështje që i interesojnë atyre. Gjithashtu, u vu theksi mbi impaktin që duhet të ketë fjala e këtij institucioni në kuadrin e bisedimeve për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe standardizimin e gjykatave themelore, të qarqeve, gjykatave të Apelit, Gjykatës Supreme, si dhe dy gjykatave administrative dhe komerciale. Të dy krerët e institucioneve kanë bërë një prezantim të detajuar të aktivitetit të tyre të përditshëm, duke u bazuar në zbatimin dhe respektimin e ligjeve përkatëse, frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe vullnetit për të vepruar dhe reaguar pozitivisht ndaj çështjeve të ndryshme.