E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Obama fillon të krijojë kabinetin e ardhshëm



Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, ka filluar punën seriozisht për krijimin e administratës së tij të re. I zgjedhuri i parë ka qenë kongresisti i Ilinoisit, Rahm Emanuel, të cilit i është ofruar detyra si shef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Zoti Emanuel ka qenë këshilltar i presidentit Klinton, megjithatë nuk dihet ende nëse ai do ta pranojë propozimin. Emërimi i radhës pritet të jetë ai i sekretarit të Thesarit, një post shumë i rëndësishëm në strategjinë për daljen nga kriza ekonomike. Zoti Obama duket se po sheh mundësinë e emërimit të një zyrtari me përvojë në këtë post. Ndër emrat e përmendur janë ish-sekretari i Thesarit në administratën e presidentit Klinton, Lerri Samërs, apo ish-drejtuesi i Rezervës Federale, Paul Volker. Ndërkohë flitet se kabineti i tij do t’i kalojë caqet partiake, duke i kërkuar sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gejts, që të qëndrojë në këtë post. Detyra e koordinimit të qeverisë besohet se do t’i besohet Xhon D. Podestës, ndërsa për Drejtësinë është lakuar emri i Erik Holderit dhe i guvernatores së Arizonës, Xhenet Napolitano, por edhe i Hilari Klintonit. Për sigurinë kombëtare përfliten emrat e Xhim Xhouns dhe Suzan Rajs. Ndërsa në krye të CIA-s mund të vendoset një grua, Xhein Harman. Gjatë kësaj jave zoti Obama do të informohet gjerësisht për çështjet e politikës së jashtme. Presidenti i sapozgjedhur amerikan Obama duhet të bëjë emërimet kryesore në administratën e tij deri në datën 20 janar, kur e merr zyrtarisht postin. Për këtë çështje është krijuar një komision për tranzicionin, për t’iu mundësuar zyrtarëve të sigurisë dhe ekonomisë të administratës së Bushit që të takohen me homologët e tyre në ekipin e Obamës. Qindra poste duhen mbushur në një periudhë prej 10 javësh. Presidenti Bush ka premtuar se do ta informojë presidentin e sapozgjedhur Obama në hollësi për çdo vendim të rëndësishëm që do të marrë. Zoti Obama dhe këshilltarët e tij kryesorë kanë marrë informacione të detajuara për çështjet e sigurisë kombëtare. Por duke filluar nga dita e djeshme ai do të vazhdojë të marrë raportet e përditshme që presidenti merr nga CIA.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›