E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-drejtori i policisë: Drejt identifikimit të vrasësit të gjyqtarit

Afro 12 ditë pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ish-kreu i policisë së Vlorës ka deklaruar se shumë shpejt do të kapet autori

VLORË Teksa ka lënë dje detyrën, ish-kreu i policisë së Vlorës, Ylli Metko, është shprehur me tone pozitive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 9 shtator, ku u ekzekutua gjyqtari Skerdilajd Konomi. Pas sinjaleve të disa ditëve më parë, dhënë nga shefi i tij Hysni Burgaj, Metko tha se “shpresojmë për rezultate konkrete”. Në një konferencë për shtyp, Metko falënderoi gjithashtu krerët e policisë së shtetit, si dhe ministrin e Brendshëm që i besuan detyrën për të qenë në Vlorë gjatë këtyre dy viteve.

Po në këtë vazhdë, tha ai, po ecet edhe për ngjarjen e fundit të ndodhur me gjyqtarin Skerdilajd Konomi. “Për këtë ngjarje po bëhet një punë tepër intensive, një bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe si rezultat i kësaj pune shpresojmë dhe besojmë se shpejt do të ketë edhe rezultate të duhura”. Ai gjithashtu ka falënderuar efektivët e policisë së qarkut Vlorë në përkushtimin që kanë treguar deri tani. Sipas tij, gjatë këtyre dy viteve rendi dhe siguria ka patur rritje. Ai përmendi luftën kundër drogës, ku nga një vend transit, Vlora, nuk rezultonte më e tillë. Duke iu referuar vjedhjeve, grabitjeve, kapje të autorë të veprave penale, Metko ka përmendur edhe dokumentimin e plotë të vrasjes së policit në detyrë rreth një vit më parë, ngjarje tashmë me autorësi të vënë para drejtësisë.

Ndryshimet

Ndërkohë prezantimi i kreut të ri të policisë së Vlorës, Nazmi Kotarja, është bërë dje nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku, pa praninë e mediave. Ndryshime krejt të papritura kanë përfshirë dje zinxhirin më të lartë të drejtues të policisë së Vlorës. Ndryshimet në fjalë kanë ardhur 11 ditë pas vrasjes me autobombë të gjykatësit Skerdilajd Konomi në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës. Në postin e drejtorit të policisë së qarkut të Vlorës do të ulet Nazmi Kotarja. Ai ulet në vendin e Ylli Metkos, i cili transferohet në postin e Drejtorisë së Shkollës së Policisë në Tiranë. Ky post ishte mbajtur deri tani nga Nazmi Kotarja. Në postin e zv.drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Vlorës emërohet Elidon Veizi, deri dje zv.drejtor në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Veizi zëvendëson në Vlorë Myftar Demirlikën. Në postin e shefit të komisariatit në Vlorë emërohet Alfred Elezi, i cili vjen në këtë post pas së njëjtës detyrë që ka ushtruar në komisariatin e Mirditës. Elezi zëvendëson në Vlorë Nikolin Thanën.

E.Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›