Prokuroria e Tiranës,mbërrin dëshmia e Diverolit
Ka mbërritur në Prokuroinë e Përgjithshme dëshmia e Efraim Diverolit, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me tragjedinë e Gërdecit dhe trafikimin e armëve nga Shqipëria për në Afganistan. Sipas burimeve nga prokuroria bëhët me dije se në dëshminë e Diverolit janë përmendur emra të njohur të jetës publike në Tiranë, ndërsa janë konfirmuar dy takime që ai ka pasur me zyrtarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes dhe ndërmarrjes MEICO, por deri tani nuk bëhen të ditura emrat e personave të cilët ka takuar. Mësohet se pronari i AEY gjatë dëshmisë së tij ka konfirmuar bisedën që ka bërë mes tij dhe biznesmenit Kosta Trebicka në të cilën për herë të parë u fol për hyrjen e Mihal Delijorgjit në tregtinë e fishekëve, që shkonin nga Shqipëria në Afganistan, madje edhe për fshehjen e origjinës kineze të municioneve. Madje Diveroli gjatë përgjigjeve të tij, ka bërë me faj palën shqiptare, duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni, për fishekët e blerë, që ato ishin prodhim kinez. Prokuroia shqiptare më 11 prill të 2008-ës hartoi një letërporosi e cila u dërgua në adresë të prokurorisë federale amerikane. Në këtë letërporosi ishin të renditura 25 pyetje të cilave Efraim Diveroli duhej t'u jepte përgjigje. Në kuadër të marrëveshjeve dhe konventave të përbashkëta, Prokuroria shqiptare u kërkoi prokurorëve amerikanë ta marrin në pyetje Diverolin dhe më pas sqarimet e tij t'i përcjellin në Tiranë për llogari të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Prokurorët shqiptarë përveç letërporosisë dërguar autoriteteve amerikane kanë nisur po ashtu letërporosi nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë edhe në Zvicër për të marrë dëshminë e Heinricht Thomeit i njohur me pseudonimin Zot i Luftës. Letërporosia e tretë u është drejtuar autoriteteve Qipriote për të marrë informacion për firmën Evdin LTD dhe për të zbardhur transaksionet e saj bankare.