E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, gati fletë-thirrjen për Mediun

Ish-ministri do merret në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni dhe personit nën hetim për tragjedinë e Gërdecit

Akuza: Ka kryer elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “favorizimit të kompanisë private”

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka gati fletë-thirrjen për në adresë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për marrjen në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni dhe personit nën hetim për tragjedinë e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i barutit e municionit që ndodhej për demontim në ish-repartin e tankeve. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës, përveç konfirmimit se brenda këtyre ditëve pritet të merret në pyetje ish-ministri Mediu, sqaruan për “Shekullin” edhe disa nga provat dhe arsyet që shtynë grupin hetimor të tragjedisë së Gërdecit të ngrenë akuzat ndaj tre të pandehurve për vrasje masive. “Me mbledhjen e një numri jo të vogël provash që implikojnë ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në tragjedinë e Gërdecit, dhe zbardhjen e urdhrave e rregulloreve të firmosura nga deputeti Mediu si dhe marrjen e dëshmive të ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes, grupi hetimor brenda këtyre ditëve pritet të marrë në pyetje deputetin Mediu për t’iu përgjigjur pyetjeve që tashmë prokurorët i kanë bërë gati”,-thanë burimet. Mësohet gjithashtu se deputeti Mediu është marrë në pyetje një herë menjëherë pas ngjarjes si person që ka dijeni për tragjedinë, por këtë radhë, sipas prokurorisë, do të merret në cilësinë e personit që ka dijeni dhe atij nën hetim, pasi me veprimet dhe mos veprimet e tij ka rezultuar se ka kryer elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “favorizimit të kompanisë private” duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 26 persona dhe mbi 300 janë plagosur.

Gjithashtu, sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se grupi hetimor për ngritjen e akuzave të “vrasjes masive” ndaj tre të pandehurve që ndodhen në qelitë e paraburgimit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli kanë përdorur edhe intervistën e këtij të fundit dhënë në një media vizive pak orë pas shpërthimit të punishtes së municioneve në fshatin Gërdec pak kilometra nga qyteza e Vorës. Sipas këtyre burimeve, thuhet se rreth orës 15:45 tashmë i pandehuri Minxholli është shfaqur në një ekran televiziv si drejtor teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, duke u intervistuar drejtpërdrejt për atë se çfarë kishte ndodhur pak orë më parë në punishten që ai drejtonte në Gërdec duke u shprehur se “rrezikunë këtë punishte ka ekzistuar prej kohësh”. Deklaratë kjo, që për hetuesit e prokurorisë është cilësuar si një tragjedi e parapritur por që nuk është bërë asgjë për ta evituar, duke u bazuar në kushtet që aty demontohej. Në fund të intervistës, kur gazetari iu drejtua Minxhollit se “shpërthimet vazhdojnë”, ai u përgjigj “normalisht mund të ketë shpërthime sepse për shkak të punës që ne kishim marrë përsipër të kryenim ishim të vetëdijshëm për rrezikun, ashtu siç ka ekzistuar ky rrezik prej kohësh. Ne kishim pothuajse një vit që punonim aty dhe njerëzit që punonin brenda punishtes kanë qenë të lajmëruar me detaje për rrezikun dhe riskun që mbart përpunimi i këtij materiali”,-thuhet në përgjigjen e drejtorit teknik të fabrikës vetëm pak orë nga shpërthimi që i mori jetën 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve i shkaktoi plagosjen. Sipas burimeve nga akuza konfirmohet se brenda këtyre ditëve edhe deputeti Fatmir Mediu do të përballet me pyetjet e prokurorëve dhe ballafaqimet e ushtarakëve të tij, ku disa prej tyre ia kanë kaluar të gjithë fajin ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

---------------------------Gjeneralët do të rithirren pas heqjes imunitetit të Mediut

TIRANË- Të gjithë gjeneralët e Ushtrisë shqiptare që kanë pasur dijeni për demontimin e municioneve në Gërdec janë rithirrur dhe do të rithirren për të dëshmuar në prokurori për të “spiunuar” ish-shefin e tyre, Fatmir Mediu. Sipas akuzës, disa ushtarakë kanë dhënë dëshmitë e tyre për ngjarjen e ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec, por grupi hetimor nuk ka pasur të drejtën e pyetjes së tyre në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e Mediut për këtë çështje pasi ai gëzonte imunitet. Tashmë që Mediu është i zhveshur nga imuniteti, ushtarakët do të rishpjegojnë rolin e ish-ministrit Fatmir Mediu në ngritjen, furnizimin e deri te shpërthimi i punishtes së çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Burimet zyrtare pranë prokurorisë kanë konfirmuar se hetuesit e kësaj tragjedie, menjëherë pas heqjes së imunitetit të deputetit Mediu nga Kuvendi, kanë filluar mbledhjen e provave dhe dëshmive kundër tij. “Janë pyetur për veprimet e ish-ministrit Mediu, ish-drejtuesi i Komandës së Forcave të Bashkuara gjenerali tashmë i shkarkuar Shpëtim Spahiu, i cili ka dhënë shpjegime për punën dhe zbatimin e urdhrave të ish-ministrit Mediu para ngritjes së punishtes, gjatë furnizimit të kësaj punishteje dhe pas shpërthimit të saj”,- thuhet nga burimet. Gjithashtu, mësohet se janë marrë në pyetje edhe stafi i ngushtë i ish-ministrit Mediu, si Sekretari i Përgjithshëm, ish-sekretari, shefi i kabinetit e tëtjerë bashkëpunëtorë të afërm të ish-ministrit Mediu. Gjithashtu, po këto burime bënë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim, me kërkesë të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, priten të rimerren në pyetje ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, ish-gjenerali Zija Baja, personat nën hetim Dashnor Çaushaj e Sokol Ngjeçi dhe tre të pandehurit e arrestuar, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe ish-drejtori i MEICO-së Ylli Pinari, si dhe personat që kanë dijeni për veprimet dhe mosveprimet e Mediu në këtë tragjedi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›