E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Meta vegël e verbër në duart e Berishës

Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, i përgjigjet akuzave disa ditore të LSI-së

TIRANË- Partia Socialiste i konsideron të ulëta dhe aspak normale përpjekjet vazhdueshme të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të hedhur baltë mbi krerët socialistë. Për të disatën herë selia rozë edhe dje me anë të zëdhënëses së kryesisë Mimi Kodheli është përpjekur që të sqarojë opinionin publik se në akuzat që LSI ka ngritur gjatë këtyre muajve ndaj PS-së nuk ka asgjë të vërtetë. Sipas saj, LSI me sulmet kundrejt PS-së nuk po bën gjë tjetër veçse po thellon edhe më tej ndarjet mes socialistëve të thjeshtë dhe të ndershëm në bazë, duke ngritur çështje të paqena dhe këto vetëm për arsye dhe interesa personale të kryetarit të kësaj force Ilir Meta. Duke i kërkuar ndjesë opinionit publik për këtë debat mediatik të pavlerë, Kodheli është shprehur se ai nuk i shërben aspak interesave të vendit. “U kërkojmë ndjesë të gjithëve për daljet e përsëritura për shkak të sulmeve pa etikë dhe asnjë të vërtetë të Ilir Metës ndaj PSSH. Por, jemi të detyruar të mos heshtim e t’u themi qytetarëve shqiptarë se Ilir Meta po thellon hendekun me socialistët e progresistët e këtij vendi, duke hedhur përditë baltën e politikës së vjetër mbi PSSH dhe duke treguar përditë me fjalët e tij se përpara interesave të veta personale nuk njeh asnjë interes të vendit e as të qytetarëve”, - tha zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Partia Socialiste vlerëson gjithashtu se LSI me politikën e përbaltjes jo vetëm që nuk po sjell asnjë zhvillim pozitiv, por po i tërheq vëmendjen shqiptarëve nga keqqeverisja e djathtë, duke i bërë një shërbim të madh kryeministrit Sali Berisha. Nisur nga ky fakt selia rozë nuk ka nguruar ta cilësojë dje kreun e LSI-së Ilir Meta si një vegël në shërbim të Berishës dhe qeverisë së tij. “Kështu Iliri po bëhet një vegël e verbër në duart e Sali Berishës”, - tha Kodheli, duke i bërë thirrje njëkohësisht Metës që të heq dorë nga politika e vjetër e shpifjeve dhe përbaltjes dhe ti kthehet politikës në shërbim të qytetarëve. Reagimi i djeshëm Kodhelit erdhi menjëherë pasi drejtuesit e lartë LSI-së përsëritën akuzat ndaj drejtuesve të PS-së për bashkëpunim me PD-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›