E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, hetim dhunës në Laç, shoqërohen tre vetë

Prokuroria e Kurbinit mësohet se ka nisur një hetim për dhunën e ushtruar dy ditë më parë ndaj arbitrit ndërkombëtar Lorenc Jemini në stadiumin e Laçit. Burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur ditën e djeshme se është thirrur për të dëshmuar gjyqtari i ndeshjes Laçi-Kastrioti (1-1), i cili u godit barbarisht me grushta në përfundim të kësaj sfide. Jemini ka dëshmuar për dhunuesit e tij, ndonëse mësohet se ka qenë një rrëfim jo edhe aq frytdhënës për Prokurorinë. Ndërkohë, paralelisht, policia e Kurbinit ka shoqëruar tre persona, të cilët gjithsesi janë në ndjekje në gjendje të lirë dhe nuk u është prerë fleta e arrestit. Mes tre të shoqëruarve është edhe zëvendës trajneri i Laçit Ardian Laska, pjesëmarrës në aktet e dhunës që ndodhën në fundin e ndeshjes ndaj Kastriotit. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se në ditët e ardhshme do të merren nën hetim edhe persona të tjera, pasi janë duke u studiuar videot televizive, të cilat tregojnë qartë dhunën e ushtruar ndaj arbitrit. Në të u përfshinë drejtues të klubit të Laçit, duke nisur nga presidenti Pashk Laska, por edhe lojtarë e tifozë. Ndaj tyre po vazhdon procesi i verifikimit dhe menjëherë më pas pritet që të priten edhe fletë arrestet. Përfshirja e shumë njerëzve e vështirëson këtë proces, ndonëse presidenti i Laçit Laska duket qartazi kur godet gjyqtarin, në momentin që ky i fundit është i rrethuar nga policë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›