Kërkojnë biletat e fundit

Me ndeshjet e sontme, në xhiron e gjashtë të Grupeve A,B,C e D, do të kompletohet e teta e finales së Ligës së Kampionëve. Bayerni e ka siguruar pozitën e parë, kurse Villarreali do të përfundojë i katërti.
Napoli, i dyti, është një pikë përpara Manchester Cityt. Për ta kaluar ekipin italian, City duhet të fitojë ndaj Bayern Munichut dhe të shpresojë që Villarreali ta mposhtë ose të barazojë me ekipin napolitan.
Në Grupin B, Interi e ka siguruar kualifikimin, ndërsa tri ekipet tjera i ndan vetëm një pikë me Trabzonsporin, që ka një pikë më shumë se Lille e CSKA. Lille ose Trabzonspor do të përfundonin në pozitën e dytë, nëse e fitojnë cilado sfidën që zhvillohet në Francë.
Nëse ky takim përfundon baras, CSKA do të shkonte përpara, nëse do të fitonte në Milano ndaj Interit. Rusët do të eliminohen nëse humbin, ndërsa barazimi do t’ua siguronte pozitën e tretë dhe Europa Leaguen, nëse ndeshja tjetër përfundon baras.
Në Grupin C, Benfica ka pikë të njëjta me Manchester Unitedin dhe një pikë përpara Baselit, por është kualifikuar falë përballjes së këtyre dy të fundit sonte. Nëse e mposhtin Otelul Galatin, portugezët do të përfundojnë në pozitën e parë.
Në anën tjetër, ballafaqimi në Zvicër do të vendosë për ekipin tjetër që do të shkojë në të tetën e finales. Baseli i Xherdan Shaqirit dhe i vëllezërve Taulant e Granit Xhaka do të mundohet të shënojë fitore historike për ta eliminuar United. Për herë të fundit, ‘Djajtë e Kuq’ ishin eliminuar nga kjo fazë në sezonin 2005/06.
Nëse Benfica nuk fiton, Baseli ose Man Utd do ta rrëmbenin kreun e tabelës me një fitore në duelin në mes tyre. Në Grupin D, Real Madridi e ka siguruar kualifikimin për herë të 15-të rresht, duke regjistruar rekord të ri.
Tri pikët eventuale në Amsterdam do ta bënin ekipin e Jose Mourinhos vetëm skuadrën e pestë që e arrin serinë perfekte prej gjashtë fitoresh rresht në fazën e grupeve, që kur ekziston Liga e Kampionëve. Me Dinamon e Fatos Beqirajt që ka përfunduar në pozitën e katërt, pozita e dytë dhe e tretë do të vendoset në mes të Ajaxit dhe Lyonit.
Holandezët kanë tri pikë më shumë dhe kanë gol-diferencë më të mirë, ndërkohë që kanë barazuar me ekipin francez në të dyja takimet, 0:0. Pra, Lyoni duhet të fitojë në Zagreb, duke shpresuar që Ajaxi të humb dhe ta përmirësojë gol-diferencën karshi ekipit nga Amsterdami.
Liga e Kampionëve
Sonte
Grupi A
Man City – Bayern 20:45
Villarreal – Napoli 20:45
Grupi B
Inter – CSKA 20:45
Lille – Trabzonspor 20:45
Grupi C
Basel – Man Utd 20:45
Benfica – Otelul G. 20:45
Grupi D
Ajax – Real Madrid 20:45
Dinamo – Lyon 20:45