Prokuroria heton Albpetrol-in, dyshime për 10%-in dhe Patton Boggs-in
Tiranë- Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për çështjen e privatizimit të “Albpetrol” pas kallëzimit të gati katër muajve më parë nga deputeti socialist Erjon Braçe, mbi dyshimet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike.
Lajmi konfirmohet nga burime të Njësisë Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar pranë kësaj Prokurorie, e cila ka dyshime të forta se garancia 10 për qind, e vendosur në tender nga konsorciumi “Vetro Energy”, mund të ketë qenë fiktive.
Burimet theksojnë se ashtu sikurse ka kryer kallëzimin edhe deputeti socialist Braçe, verifikimet po kryhen për disa vepra penale sikurse mashtrimi, shpërdorimi i detyrës dhe shkelja e barazisë në tendera të kryera në bashkëpunim.
Prokuroria po verifikon dyshimet për vërtetësinë e garancisë bankare të paraqitur nga kompania e shpallur si fituese në fazën e parë. Verifikimet prekin edhe konsulentin amerikan të qeverisë shqiptare, firmën “Patton Boggs”, për të cilën ka dyshime të forta se ka favorizuar konsorciumin dhe ka dhënë konfirmimin e garancisë tashmë nën hetim.
Prokurorët bëjnë të ditur paraprakisht se pavarësisht tejkalimit të afateve ligjore dhe shpalljes së tenderit si të dështuar, kompania nuk ka derdhur për llogari të qeverisë garancinë e detyrueshme ligjore prej 85 milionë euro. Në atë kohë Qeveria shqiptare së bashku me “Patton Boggs” deklaruan se garancia ishte verifikuar si e rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Por pasi tenderi dështoi dhe konsorciumi i biznesmenit Rezart Taci nuk pagoi shumën prej 850 milionë euro, Qeveria nisi procedurat për të ekzekutuar garaninë dhjetë për qind. Por deri tani garancia nuk ka mbërritur në arkën e Qeverisë.
Burimi: Top-Channel