Rritet fluksi i udhëtarëve në Vërmicë, policia me plan operativ

Festa e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, ka bërë që pika kufitare e Vërmicës të frekuentohet tej mase gjatë këtij muaji. Autoritetet policore në kufirin e Vërmicës, kanë thënë për Radio Kosovën së tashmë kanë përpiluar një plan operativ, që do të zbatohet gjatë 28 nëntorit.
Kufiri i Vërmicës që edhe ndanë Kosovën me Shqipërinë po pret e përcjellë shumë njerëz gjatë këtyre ditëve. Festa e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë tashmë po reflektohet edhe në automjetet e shumta në të cilat dominon ngjyra kuq e zi. Ndonëse aktivitetet do të mbahen në Shqipëri, fluks më i madh i udhëtarëve vërehet në drejtim të Kosovës.
Kjo për faktin se banorët e pjesës matanë kufirit dëshirojnë të njihen me bukuritë që ka shteti ynë me theks të veçantë Prizreni historik i cili zë një vend meritor nga e kaluara e largët. Madje shumica syresh për herë të parë e vizitojnë këtë vend.
Ndërkaq autoritete policore kufitare në Vërmicë thonë se tashmë kanë përpiluar një plan operativ i cili do të zbatohet gjatë festës. Zëvendëskomandanti, Shaban Osmanollaj ka theksuar për Radio Kosovën se me qëllim që siguria të jetë në nivel, personeli do të shtohet për 15 përqind.
Gjatë nëntorit përmes kufirit të Vërmicës kanë hyrë 90 mijë qytetarë dhe 45 mijë automjete./Indeksonline/