E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton kryetaren e Shoq. “Fëmijët e ngujuar”

Vendoset nën hetim nga Prokuroria e Beratit Kryetarja e Shoqatës së Trajtimit të Fëmijëve në Gjakëmarje në Poliçan Liljana Luani. Luani denoncoi në Prokurori drejtuesit e vendorë, Bashkisë Poliçan për bllokim të fondeve në këtë qendër. 

POLIÇAN- Kryetarja e Shoqatës së Trajtimit të Fëmijëve në Gjakëmarje në qytetin e Poliçanit Liljana Luani, pas shumë polemikave të hedhura do të jetë nën hetim nga Prokuroria. Pasi drejtoi këtë qendër për mëse dy vite dhe deklaroi ditët e fundit mbylljen e saj si rezultat i mungesës së fondeve për mbajtjen e fëmijëve, aktiviteti i Liljana Luanit do të kalojë nën sitën e Prokurorisë. Do të jetë Prokuroria e Rrethit të Beratit që më në fund duket se do të hedh dritë mbi aktivitetin dhe menaxhimin e fondeve të akorduara në drejtim të kësaj qendre. Burime pranë organit të akuzës në qytetin e Beratit bëjnë me dije se çështja e veprimtarisë së qendrës së fëmijëve në gjakëmarje nuk është e pa njohur për këtë organ. Prej më se dy vitesh në dosjet e Prokurorisë së këtij rrethi ndodhet dhe çështja e aktivitetit të qendrës të fëmijëve në gjakëmarje dhe menaxhimi i fondeve të saj. Burime të besueshme brenda organit të akuzës bëjnë me dije se hetimi ndaj drejtuesve të qendrës së trajtimit të fëmijëve në gjakëmarje nisi pas denoncimit nga vetë drejtuesja Liljana Luani.
Kjo e fundit denoncoi në Prokurorinë e rrethit drejtuesit e pushtetit vendorë, Bashkisë Poliçan për bllokim të fondeve dhe pengim të mbarëvajtjes së punës në këtë qendër.
Ditët e fundit nga qendra e trajtimit të fëmijëve në gjakëmarje u larguan thuajse të gjithë fëmijët të cilët u morën nga prindërit pas mos marrëveshjes së kryetares Luani me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, nga ku e emërua një drejtues tjetër nën varësinë e kësaj ministrie. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›